Secondary Adv

Lehtesi fiskale per industrine automotive: Ja si perfitohet tatim fitim 5 per qind

Paketa fiskale ndër të tjera parashikon masa nxitëse për industrinë automotive në vend, duke vendosur që norma e tatimfitimit për kompanitë e këtij sektori të ishte 5%. 

 

Por një vendim i dytë i qeverisë ka saktësuar se jo të gjithë ata që janë pjesë e kësaj industrie mund të përfitojnë, por duhet të përmbushin disa kushte duke nisur nga prodhimi që bëjnë e deri tek kufiri i të punësuarve që kanë në kompani. Në pikën 1 vendimi sqaron për qëllim të zbatimit të shkallës 5% të tatimit mbi fitimin, në industrinë automotive përfshihen tatimpaguesit që janë të regjistruar si të tillë dhe kryejnë aktivitetet e prodhimit të mjeteve motorike ose të pjesëve përbërëse të tyre. Kjo industri nuk përfshin tatimpagues që kryejnë aktivitete për mirëmbajtjen e mjeteve motorike apo shërbime të tilla si riparimet. Vendimi sqaron gjithashtu kriteret dhe procedurat për aplikimin e tatimfitimit nga personat juridikë që ushtrojnë këto aktivitete. 

 

Kështu së pari personi juridik, për të zbatuar shkallën tatimore të përcaktuar në pikën 5, të nenit 28, të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, duhet: 

të ketë përcaktuar në objektin e veprimtarisë së njësisë ekonomike aktivitetet ekonomike të përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi;

të realizojë jo më pak se 100% të qarkullimit vjetor në aktivitetet ekonomike të parashikuara në pikën 1 të këtij vendimi;

të ketë të punësuar mesatarisht gjatë vitit financiar jo më pak se 250 (dyqind e pesëdhjetë) punonjës. 

 

Së dyti personi juridik, i cili kryen aktivitetet sipas pikës 1 të këtij vendimi dhe plotëson kriteret e përcaktuara në shkronjën “a”, të pikës 2, të këtij vendimi, aplikon shkallën tatimore të përcaktuar në pikën 5, të nenit 28, të ligjit nr. 8438, date 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar. Personi juridik paraqet pranë drejtorisë rajonale tatimore përkatëse një deklaratë me shkrim, ku tregon plotësimin e kritereve sipas këtij vendimi. Së treti personi juridik, i cili aplikon shkallën tatimore prej 5%, sipas pikës 5, të nenit 28, të ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, duhet të zhvillojë vetëm veprimtari të fushës së industrisë automotive, sipas pikës 1 të këtij vendimi. 

 

Nëse personi juridik zhvillon edhe veprimtari të tjera ekonomike, ai duhet të regjistrohet si subjekt tatimor më vete. Aktualisht në vend janë afruar një sërë kompanish ndërkombëtare që kanë hapur filialet e tyre në Shqipëri të orientuara kryesisht për fasonerinë e industrisë automotive. Ndër të parët janë gjermanët e Forschner dhe PSZ ndërkohë që në fillim të 2019 edhe francezët e Delmon hapën një fabrikë në Elbasan. Edhe korano-jugorja Yura aktualisht ka lidhur një kontratë qiraje me qeverinë shqiptare për një fabrikë në zonën e Fierit e cila nis prodhimin në mars të këtij viti./Burimi: Monitor.al


Më të lexuarat