Secondary Adv

Ndryshon serish projektligji per sigurimin e detyrueshem: Ja kur pritet te miratohet

Ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm motorrik pritet të miratohet këtë vit, pas një maratone zvarritjesh pothuajse pa precedentë. 

 

Edhe projektligji i fundit, i paraqitur nga AMF-ja në vitin 2018 është ndryshuar përsëri, ndonëse as AMF-ja dhe as Ministria e Financave nuk kanë nxjerrë ende zyrtarisht një variant të ri për konsultim publik. Ndryshe nga sa parashikohej në draftin e propozuar nga AMF në 2018, Fondi i Kompensimit nuk do ndahet nga Byroja Shqiptare e Sigurimeve. Fondi do të vazhdojë të funksionojë brenda Byrosë, por risia e ligjit të ri do të jetë ndarja e llogarive të Fondit të Kompensimit dhe Kartonit Jeshil. Drejtimi i Byrosë në thelb do të vazhdojë të bëhet mbi parimet aktuale, kur kryetari propozohet nga siguruesit dhe miratohet nga AMF-ja.   

 

Në variantin e mëparshëm të projektligjit, ishte propozuar që Fondi i Kompensimit të funksiononte si Ent i veçantë dhe kryetari të emërohej nga AMF-ja. AMF-ja duket se ka dështuar të vendosë një limit për shpenzimet administrative në tërësi, që sipas projektligjit të propozuar në vitin 2018 duhet të kufizoheshin në masën 40% të primit të shkruar bruto. Niveli i lartë i shpenzimeve administrative është një paradoks në tregun shqiptar të sigurimeve, me kompanitë që praktikisht shpenzojnë më shumë për marrjen në sigurim dhe ëpr shpenzime administrative, sesa për të paguar dëme. Në muajin shkurt, Kosova ndërmori masa të forta rregullatore, duke i kufizuar këto shpenzime në 24%.

 

Në Shqipëri, AMF-ja nuk ka arritur të gjejë mbështetje as për t’i kufizuar këto shpenzime në masën 40%, të paktën në segmentin e TPL-ve. I vetmi kufizim që do të ngelet edhe në variantin e ri të projektligjit është ai për komisionet e agjentëve, që nuk duhet të jenë më shumë se 12% e primit. Megjithatë, kompanitë e sigurimeve nuk e pranojnë as këtë kufizim dhe po kërkojnë nga Ministria e Financave heqjen e tij nga projektligji. Komisionet e ndërmjetësimit shpeshherë arrijnë në nivele shumë të larta, edhe përtej 20%. Nivelet e lartë të komisioneve iu krijojnë agjentëve hapësira për të konkurruar me ulje çmimesh, duke i ofruar blerësit vlera më të ulëta se ato që shkruhen në policë./Burimi: Scan


Më të lexuarat