DPT njofton bizneset e prekura nga termeti: 3 dokumentet per te perfituar lehtesi fiskale
Tatimet njoftojnë të gjithë tatimpaguesit e prekur nga tërmeti se, do ti njihen si të zbritshme shpenzimet për dëmet nga tërmeti.
Për të përfituar nga këto lehtësi fiskale, tatimpaguesit e prekur nga kjo fatkeqësi natyrore, duhet të paraqesin pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore,
Listën me përshkrimin e detajuar të mallrave dhe aktiveve të dëmtuara apo shkatërruara, përfshirë sasinë për çdo lloj;
Faturat e blerjes së mallrave të dëmtuara apo dokumentacionin e aktiveve afatgjata të dëmtuara;
Raportin nga organi kompetent përkatës për shkatërrimin e aktiveve afatgjata.
Konkretisht do të njihen si shpenzime të zbritshme vlera kontabël e mallrave si dhe vlera kontabël e mbetur e aktiveve, që janë dëmtuar/shkatërruar për shkak të fatkeqësive natyrore në zonat që sipas përkufizimit të dhënë në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen civile janë shpallur “zona të fatkeqësisë natyrore”. Të gjithë tatimpaguesit e prekur nga tërmeti, janë të lutur që brenda datës 10.03.2020, të paraqesin pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore ku janë të regjistruar dokumentacionin si më sipër./Burimi: Monitor.al