Secondary Adv

Udhezimi per procedurat tatimore: Si behet regjistrimi online i fermereve dhe ambulanteve

Ministria e Financave ka bërë disa ndryshime në udhëzimin “Për procedurat tatimore” ku saktëson lehtësitë që krijohen nga shërbimet online për regjistrimin e subjekteve. 

 

Në udhëzim sqarohet se subjektet që nuk janë objekt i ligjit “Për regjistrimin e biznesit”, si: “Personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulant”; “Trupat diplomatikë”; “Përfaqësuesi tatimor”; “Fermeri” dhe “Kryefamiljari” regjistrohen në administratën tatimore pranë DRT. Por regjistrimi i këtyre subjekteve mund të bëhet edhe online nëpërmjet faqes së shërbimeve elektronike e-albania. Në këtë rast, kërkesa e plotësuar dhe dokumentacioni përkatës do të dërgohen në mënyrë elektronike në sistemin elektronik të tatimeve të adresuara për DRT-në përkatëse, e cila do të bëjë shqyrtimin e aplikimit për regjistrim dhe do të vendosë sipas rastit refuzimin ose aprovimin e aplikimit të regjistrimit.

 

Udhëzimi sqaron se dokumentacioni i nevojshëm për regjistrim është si më poshtë: a) Përfaqësuesit tatimorë:- formularin e aplikimit “Kërkesë për regjistrim” të plotësuar nga përfaqësuesi tatimor; marrëveshjen origjinale apo kopje të vërtetuar midis palëve (përfaqësues –i përfaqësuar); –vendimin ose prokurën e caktimit apo emërimit të përfaqësuesit tatimorë, të nënshkruar nga personi përgjegjës i personit të tatueshëm jorezident që ka emëruar përfaqësuesin tatimor në zbatim të ligjit “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”; –kopje të vërtetuar me origjinalin të certifikatës së regjistrimit tatimor të personit jorezident në vendin e tij të rezidencës, e lëshuar jo më përpara se 3 muaj nga data e aplikimit për regjistrim të përfaqësuesit; – 

 

kopje të vërtetuar me origjinalin të kartës së identitetit ose të pasaportës të administratorit të shoqërisë jorezidente; –kopje të vërtetuar me origjinalin të kartës së identitetit ose të pasaportës të përfaqësuesit për regjistrim; –ekstrakti i regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit të personit fizik apo juridik të caktuar si përfaqësues tatimor. Ky dokument do të gjenerohet nga vetë punonjësi i tatimeve dhe do të jetë pjesë e dosjes së regjistrimi. Lidhur me ambulantët udhëzimi sqaron se është kusht që ai të mos këtë një vend fiks biznesi dhe nuk mund të ushtrojë veprimtari në më shumë së një njësi tregtare. I vetëpunësuari, i cili e zhvillon tregtinë në kushte të tilla, që nuk i japin mundësinë të jetë i lëvizshëm gjatë ditës, nuk konsiderohet ambulant. 

 

Administrata tatimore në certifikatën e NIPT-it që i lëshon ambulantit është e detyruar që përpara emrit të tatimpaguesit të vendosë fjalën “Ambulanti”. Për shembull “Ambulanti emër mbiemër”. Ambulanti pasi regjistrohet ka detyrimin për të paguar sigurime shoqërore dhe shëndetësore. Një tjetër grup është ai i fermerëve ku kërkohet formulari i aplikimit “Kërkesë për regjistrim” të plotësuar nga ana e tij me të gjitha të dhënat e detyrueshme të kërkuara, nënshkruar nga fermeri; –kopje të vërtetuar me origjinalin të dokumentit të identifikimit, i cili i bashkëlidhet aplikimit për regjistrim; –vërtetimin origjinal lëshuar për fermerin prej drejtorisë/agjencisë rajonale përkatëse përgjegjëse për bujqësinë, në bazë të të cilit vërtetohet aktiviteti prodhues bujqësor i fermerit.

 

Grupi i fundit është ai i kryefamiljarëve që kërkojnë punëtorë shtëpie. Sipas udhëzimit drejtoria rajonale tatimore përkatëse për të gjitha kategoritë e përmendura më sipër, pasi bën verifikimin e të dhënave të dorëzuara, brenda 2 ditëve pune aprovon regjistrimin dhe gjeneron NIPT-in përkatës duke lëshuar certifikatën e regjistrimit. Certifikata e regjistrimit i dërgohet personit menjëherë në llogarinë e tij elektronike në e albania ose në një nga mënyrat e tjera ligjore të komunikimit me tatimpaguesin. Certifikata e regjistrimit, përmban emrin dhe formën, numrin unik të identifikimit, datën e regjistrimit fillestar dhe adresën e vendit kryesor të ushtrimit të veprimtarisë./Burimi: Monitor.al


Më të lexuarat