
Projekti per transformimin e Parkut Rinia: Punimet drejt fundit, ja kur hapet
Rreth 80% e punimeve për transformimin e Parkut Rinia në një park qendror të qytetit kanë përfunduar tashmë.
Anjeza Çallpani, drejtoreshë e Planifikimit Urban pranë bashkisë së Tiranës tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se me 1 qershor, fëmijëve do t’iu shtohet një tjetër park modern. Parku Rinia, i cili po transformohet në një ambient më të gjelbër, më argëtues dhe më funksional, krahas hapësirave të gjelbra dhe trotuareve moderne, do të ketë tashmë edhe një reliev të ndryshëm në sipërfaqe të caktuara, ç’ka do të nxisë edhe një aktivitet më fizik dhe intensiv për fëmijët. Sipas Çallpanit, rikonceptimi i parkut Rinia është bërë në mënyrë të tillë, ku të gjitha grupmoshat të mund të kenë këndin e tyre. “Ky park është rikonceptuar nga e para që të mund t’i shërbejë të gjitha grupmoshave.
Një ndër prioritet kryesore të bashkisë së Tiranës që në mandatit e parë ishte që të gjitha hapësirat publike t’i riktheheshin qytetarëve sidomos fëmijëve. Këtu jemi tek monumenti i pavarësisë. Gjatë gjithë gjatësisë së parkut “Rinia” është menduar të ketë një labirint që do të kalojë uji, që në verë do të shërbejë për freski. Që ky moment të marrë rëndësinë e vet dhe të mos trajtohet me gjelbërim dhe të jetë i paaksesueshëm nga qytetarët. Fëmijët do të kenë një zonë të dedikuar me lojëra të ndryshme të grupmoshave nga 3 deri në 10 vjeç. Më pas do të jetë zona e moshës së tretë që do të kenë hapësira të dedikuara të lojërave domino”, -u shpreh ajo. Ndërkaq, sheshi për lojëra tavoline do të jetë kryesisht për moshën e tretë, ku mund të luajnë lojëra si: domino apo shah.
Një tjetër veçanti e projekti është edhe sheshi për kafshët. Ky shesh shtrihet në pjesën veriore të parkut, kjo për arsye që të jetë edhe pak më i izoluar dhe kafshët duhet të jenë të kontrolluara dhe me kushte sigurie. Ky kënd për kafshët do të përbëhet nga disa struktura mobilimi që shërbejnë për stërvitjen e tyre, të cilat kanë nisur të instalohen. “Është menduar edhe një hapësirë dedikuar kafshëve. Siç e shikoni ka filluar me vendosjen e lojërave që do të shërbejnë për kafshë të ndryshme. Do të kenë hapësirën e tyre të dedikuar dhe janë të ndara hapësirat përmes dunave të cilat do të jenë të gjelbëruara me bar. Rrugët janë trajtuar në formë kryqëzimi të cilat i lejojnë të gjithë qytetarëve të aksesojnë parkun në të gjitha hapësirat e tij”, -tha ndër të tjera, drejtorja e Planifikimit Urban në bashkinë e Tiranës.
Shkallaret, puna e së cilave ka përfunduar, do të shërbejnë si pika qëndrimi për çlodhje, tribuna ose hapësirë për evente në raste të veçanta. “Këtu do të kemi ambientin për të krijuar evente. Është një shkallare e cila është me pllaka guri, që të japë idenë e jo një betoni të derdhur por idenë e një hapësire tjetër. Nuk është prekur gjelbërimi. Pema vazhdon të jetë në mes të shkallares dhe kjo hapësirë mund të përdoret për të organizuar evente të ndryshme qoftë nga vetë qytetarët, organizata të ndryshme apo grupe rinore. E gjithë infrastruktura inxhinierike, të gjitha kanalizimet kanë përfunduar dhe depot e ujit që do të shërbejnë për të mirëmbajtur gjelbërimin e të gjithë parkut “Rinia”. Mirëmbajtja e të gjithë hapësirës së gjelbër kërkon infrastrukturën e vet, kështu që çdo gjë inxhinierike nën tokë ka përfunduar.
Muaji mars është muaji ideal për mbjelljen e pemëve. Në projekt janë menduar që pemët të mbillen të larta në një lartësi të konsiderueshme, do të ketë gjelbërim të të gjitha niveleve, por kryesisht pemë të larta”, -theksoi Çallpani. Drejtorja e Planifikimit Urban pranë bashkisë së Tiranës sqaroi për ATSH-në se, se po mbillen pemë të tjera, për të shtuar gjelbërimin në këtë park. “Kur filluam projektin kishim polemika që pemët do të eleminoheshin, do të kthehet në beton por siç e shikoni nuk po ndodh ashtu. Pemë të larta po mbillen, gjelbërime të ndryshme, kemi gjelbërim të ulët, pemë dekorative, do të kemi hapësira të dedikuara gjelbërimi të mbjella me bar gjatë të gjithë gjatësisë dhe perimetrit të parkut.
Më parë parku shihej si kalim për këmbësorët, për të shkuar në destinacione sa më shkurtra. Shumë hapësira ishin të dëmtuara dhe gjelbërimi nuk mund të mirëmbahej. Ne i kemi dhënë vlerë të shtuar, i kemi ridimensionuar funksionin e parkut. Të gjithë fëmijët mund ta gjejnë veten këtu, të gjitha grupmoshat mund të gjejnë veten këtu. Kemi përfunduar gati 80% të punimeve dhe jemi shumë optimistë që në datën 1 qershor do t’i shtohet një park tjetër fëmijëve”, -tha Çallpani. Gjithashtu, projekti përfshin vendosjen e ndriçimit rrugor, rrjetin e linjave rezervë për internet telefoninë, sistemin e vaditjes, krijimin e hapësirave të gjelbra me element të mobilimit urban si stola, kosha të vegjël, si dhe krijimi i mini shesheve./Burimi: ata
Më të lexuarat








