
Merret vendimi: Nga sot nderpriten fluturimet dhe lundrimet drejt Italise
Sot do bëhen fluturimet dhe lundrimet e fundit drejt Italisë, ndërsa nga ky moment pezullohen të gjitha udhëtimet ajrore dhe ato me traget nga Shqipëria drejt shtetit fqinj.
Ministrja kërkoi bashkëpunimin e ambasadës italiane në vendin tonë, që nëse do të ketë kërkesa për të tërhequr italianët që ndodhen në Shqipëri, ta bëjë këtë vetëm përmes avionëve që vijnë bosh në aeroportin e Rinasit. E njëjta gjë do të vlejë edhe për tragetet. Nëse ambasada vendos, do të duhet të vijën anije bosh nga Italia për të bërë të mundur tërheqjen e shtetasve italianë që ndodhen në Shqipëri. Personeli ajror dhe ai i trageteve, do të kontrollohen nga ekipet e Ministrisë së Shëndetësisë. "Avioni i fundit është ulur në 10:30 me 64 pasagjerë të cilët janë regjistruar nga grupet e Ministrisë së Shëndetësisë në aeroportin e Rinasit, për t'u kontrolluar edhe në ditët në vijim pasi u kërkohet auto-karantinimi. Avioni tjetër është nisur në 11.40 drejt Romës, dhe këtu ndërpriten të gjitha fluturimet.
Në rastet kur autoritetet italiane do të vendosin për të tërhequr nënshtetasit e tyre nga Shqipëria, apo edhe pasagjerë të tjerë që kërkojnë të shkojnë drejt Italisë, do të jetë e mundur vetëm nëse avionët do të vijnë në Shqipëri pa pasagjerë, pra që vijnë boshë nga Italia. Pasagjerë nga Italia përmes ajrit nuk do të lejohet më të vijnë në Shqipëri. Dhe avionët bosh që vijnë nga Italia mund të marrin pasagjerë italianë nga vendi ynë për t'i dërguar në Itali. Sonte do të nisen tragetet e fundit nga Vlora dhe nga Durrësi, Vlorë-Bindisi dhe Durrës-Bari, me pasagjerë që kanë blerë bileta dhe janë për të udhëtuar sonte.
Pas këtij itinerari nga të dyja portet, nuk do të ketë udhëtime të tjera në drejtim të Barit apo të Brindisit. Edhe në rastin e transportit detar, nëse autoritetet italiane do të jenë të interesuara të dërgojnë anije bosh nga Italia për të tërhequr pasagjerë, ne jemi të hapur për këtë bashkëpunim", tha Balluku. Por udhëtimet drejt Italisë, nuk kufizohen për mallrat. Ministrja Balluku tha se të gjitha anijet tregtare apo fluturimet për mallra, nuk do të ndalohen, dhe personeli do të kontrollohet nga mjekët në porte apo aeroport. "Të gjitha anijet tregtare që kanë si objekt tregtimin e mallrave, nuk kanë asnjë bllokim, do nisen nga portet tona dhe do vijnë nga portet e Italisë në Shqipëri.
Personeli do jenë të kontrolluar nga stafet e Ministrisë së Shëndetësisë në Durrës dhe Vlorë. E njëjta vlefshmëri qëndron edhe për transportin ajror të mallrave, i cili nuk është i bllokuar", tha Balluku. Ministrja e Infrastrukturës në një komunikim me mediat, i bëri apel të gjitha agjencive ajrore që të zhvendosin datat e fluturimit dhe lundrimit për pasagjerët që i kanë prerë biletat, ashtu sikundër po vepron Air Albania. Po ashtu, ministrja i bëri apel qytetarëve që të përdorin shërbimet online dhe të mos shkojnë në sportele.
"Është e patolerueshme për kushtet e sigurisë në të cilat ndodhemi për të parandaluar infektimin komunitar, që të paraqiteni në sportele. Drejtojuni shërbimit online", theksoi Balluku. Ministrja bëri të ditur, se do merren masa për transportin urban brenda qytetit. "E kemi bërë një plan sot gjatë paradites, gjatë ditës do kemi një njoftim tjetër, orareve që do të ketë lëvizje, por jemi duke marrë edhe një masë për transportin ndërqytetas, që është më i vështirë për t'u ndaluar", tha ministrja Balluku./Burimi: Balkanweb
Më të lexuarat









