Secondary Adv

Frika nga epidemia: Bien me 10 per qind shitjet me pakice te karburantit

Shtimi i rasteve me koranavirus dhe paniku për përhapjen e epidemisë në vend po jep efekte negative në disa sektorë të ekonomisë.

 

Ndryshe nga çfarë ndodhi në tregtinë me pakicë të artikujve ushqimorë ku shitjet u trefishuan menjëherë pas shfaqjes së dy rasteve të para me virus në vend, në sektorin e hidrokarbureve po ndodh e kundërta. Përfaqësues të Shoqatës të Shoqërive Hidrokarbure në vend pohuan për “Monitor” se këto ditë shitjet e karburantit ranë me 10 për qind. Shkak i uljes së shitjeve është  reduktimi i lëvizjeve të qytetarëve dhe biznesit nga frika e përhapjes së epidemisë. Në ditët e para të muajit, çmimet me pakicë të karburanteve pësuan ulje nga 6 deri në 8 lekë. Operatorët në vend pohuan se rënie e çmimeve reflektoi situatën e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Por rënia e çmimeve nuk rriti shitjet për kompanitë vendase.

 

Çmimet e naftës në bursa

Sot në bursa çmimet e naftës u rimëkëmbën, pas rënies historike që pësuan një ditë më parë, pasi investitorët presin që ekonomive t’u jepen stimuj të rinj për të përballuar efektet nga shpërthimi i koronavirusit. Konkretisht, treguesi ndërkombëtar i naftës së papërpunuar, Brent, u rimëkëmb me 7.9 për qind në 37.08 dollarë për fuçi të martën ndërsa treguesi amerikan West Texas Intermediate u rrit 7.5 për qind në 33,45 $. Gjatë ditës së hënë, nafta ra me rreth 30%, duke shënuar tkurrjen më të lartë ditore që nga lufta e Gjirit të 1991. 

 

Kontratat e të ardhmes së S&P 500 u rritën me 3.3 për qind, kur filloi tregtimi më vonë gjatë ditës, duke rikuperuar një pjesë të rënies prej 7.6 për qind të indeksit të hënën – rënia e tij më e madhe një-ditore që nga kriza globale financiare. Operatorët e tregut vendas thanë se ulja e fundit e çmimeve në bursa pritet të reflektohet në vijim, gjithnjë nëse kjo rënie do të jetë e qëndrueshme./Burimi: Monitor.al


Më të lexuarat