Ministria e Brendshme merr vendimin: Pezullohen aplikimet per dokumente biometrike
Pezullohen aplikimet për dokumente biometrike dhe pritja e qytetarëve në ZSHQ, përjashto kallëzimet në Polici.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, të publikuar të mërkurën “në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, Ministria e Brendshme njofton: Ndalohen të gjitha pritjet e qytetarëve në sportelet e shërbimeve në të gjitha institucionet e sistemit të Ministrisë së Brendshme, deri në një njoftim të dytë. Telefono MB – 0694134779. Përjashtohen nga ky ndalim vetëm rastet e kallëzimeve që qytetarët bëjnë pranë strukturave të Policisë së Shtetit. Sugjerohet edhe në këto raste kallëzimet të bëhen me shkrim. Telefono 112 ose denonco në Komisariatin Dixhital!”,- sqaron Ministria e Brendshme.
“Pezullohet aplikimi i qytetarëve për karta identiteti dhe pasaporta deri në datë 03.04.2020. Të gjithë aplikimet, kërkesat apo ankesat e qytetarëve do të pranohen vetëm në rrugë elektronike në adresat e institucioneve përkatëse. Për shërbime online drejtohu tek e-albania. Ministria e Brendshme siguron qytetarët se shërbimet do të vijojnë të ofrohen në rrugë elektronike dhe në të njëjtën kohë kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve për zbatimin e këtyre masave të domosdoshme për sigurinë e përbashkët”,- përfundon njoftimi i Ministrisë së Brendshme./Burimi: ata