Secondary Adv

Bashkia e Tiranes hap tenderin: 889 banesa ne Tirane do rindertohen

Hapet tenderi nga Bashkia e Tiranës për ndërtimin e 889 banesave individuale me fond limit 1.8 miliardë lekë.

 

Ndërkohë është hapur edhe tenderi për mbikëqyrjen e ndërtimit të banesave nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Oferta që do të zgjidhet fituese do të jetë ajo që është ekonomikisht më e favorshme. Ndërkohë pak ditë më parë u hap tenderi ndërkombëtar për ndërtimin e 2500 banesave individuale. Vetëm pak ditë pas hapjes së tenderit ndërkombëtarë për rindërtimin e 2500 banesave individuale në 10 bashki të vendit me njësi zbatuese Fondin Shqiptar të Zhvillimit, është hapur tenderi tjetër për ndërtimin e 889 banesa individuale nga Bashkia e Tiranës.

 

Edhe ky tender ndërkombëtar me fond limit prej 1.8 miliardë lekë, me kohëzgjatje 24 muaj, ndërsa afati kohor për dorëzimin e ofertave ose kërkesave për pjesëmarrje është data 23 mars. Bashkia e Tiranës është ngarkuar të ndërtojë 312 banesa 1+1, 334 banesa individuale 2+1 dhe 243 banesa 3+1. 3400 banesat individuale që do të ndërtohen do të jenë rezistente ndaj tërmeteve deri në 9 ballë, ato janë të projektuara që të kenë një kosto financiare të ulët ndërtimi dhe të kenë eficiensë energjie. 

 

Ndërkohë në Agjencinë e Prokurimeve publike është shpallur edhe tenderi me procedurë të përshpejtuar me objekt “Mbikëqyrja e punimeve për rindërtimin e shtëpive individuale në zonat e prekura nga tërmeti”, me fond limit 52.2 milionë lekë ose 62.7 milionë lekë me TVSH, me autoritet kontraktor po Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Ofertat e bëra do të vlerësohen me pikë për të gjitha kriteret që do të plotësojnë që janë  kapacitetet teknike, kushtet ligjore, si dhe ofertën ekonomike. Fituese do të zgjidhet oferta ekonomikisht më e favorshme dhe pikët maksimale që do të marrë një ofertë do të jenë 100. Menjëherë pas njoftimit të fituesit Autoriteti Përgjegjës kërkon sigurim për ekzekutimin e kontratës në vlerën e 15 % të kontratës./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat