Secondary Adv

Ministria e Financave njofton lehtesite e para: Mund te hiqen gjobat dhe kamatvonesat

Qeveria mund të heqë gjobat dhe kamatvonesat që gjenerohen nga vonesat në deklarime për biznesin.

 

Për shkak të situatës emergjente  nga koronavirusi, Ministria e Financave është duke shqyrtuar kërkesat e Shoqatave të Biznesit dhe Dhomave të Tregtisë, që nga shtyrja e afatit të pagesave, gjobave dhe kamatvonesave, shtyrjen e pagesës të energjisë, ujit dhe taksave vendore. Ministria e Financave pritet që shumë shpejt të konkretizojë marrjen e masave për biznesin për shkak të situatës të rënduar nga koronavirusi. Burime zyrtare në Ministrinë e Financave konfirmuan për “Monitor” se gjenerimi i gjobave dhe kamatvonesave për deklarime të vonuara, për shkak të situatës të jashtëzakonshme, mund të hiqen. “Ministria e Financave është duke shqyrtuar paketën e masave të propozuara nga shoqatat e biznesit, për të cilën do të shprehet shumë shpejt.

 

Situata është e njëjtë për vështirësinë e kryerjes të pagesave, ashtu si për familjarët dhe bizneset”, pohuan burimet. Shtyrjen e afatit të dorëzimit të bilanceve e kanë kërkuar me shkresë zyrtare drejtuar Ministrisë të Financave edhe Dhomat e Tregtisë dhe Shoqata e Investitorëve të Huaj. Data 16 mars është afati i fundit i pagesës së TVSH, pasi 14 marsi ishte festë zyrtare dhe si rrjedjojë është dhe e hëna pushim. 20 marsi është afati i fundit i sigurimeve. Financat kanë bërë thirrje për pagesën e taksave përmes sistemit online të bankave, por Banka e Shqipërisë bën të ditur se vetëm 30% e bizneseve në vend e përdorin “home banking”, duke e bërë të domosdoshme për shumicën e tyre vajtjen në sportelet e bankës.

 

Ministria e Financave ndër të tjera mësohet se po orienton bizneset që të kryejnë pagesat nëpërmjet portalit e-Albania. Por edhe nëpërmjet portalit mundësia për të kryer pagesa është shumë e kufizuar, pasi është e domosdoshme që biznesi të përdori “home banking”. Numri i bizneseve që mund të përdorin edhe portalin është shumë e kufizuar, madje mbetet vetem te bizneset e mëdha, ndërsa pjesa tjetër e ka të pamundur pagesën e detyrimeve. Ky muaj është më i zëni me punë per kontabilistët, pasi në datë 31 mars është afati i fundit i dorëzimit online të bilancit të vitit paraardhës. Ndonëse bilanci dorëzohet online, bizneset janë ankuar se përgatitja e tij kerkon punë me dokumenta fizikë, ndaj dhe kanë kërkuar shtyrjen e afatit të tij./Burimi: Monitor.al


Më të lexuarat