Secondary Adv

Hekurudha Shqiptare, nis rinovimi i linjes Durres-Tirane

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto inspektoi të premten qendrën e rinovimit te vagonëve për trenin e ri që do të operojë në linjën Durrës-Tiranë. Sipas Haxhinasto pritet që shumë shpejt ti jepet zgjidhje përfundimtare çështja e stacionit të pasagjerëve. Tirana duhet të ketë një stacion brenda qytetit pasi ky është edhe koncepti modern në të gjitha kryeqytetet.


Haxhinasto ka ndaluar në bazën e riparimit të vagonëve dhe lokomotivave në zonën e plazhit, aty ku me fonde të hekurudhës shqiptare po kryhet rinovimi total i 12 vagonëve dhe i një lokomotive. Ai vlerësoi realizimin e një prej objektivave të hekurudhës për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve në transportin e pasagjerëve.


“Shumë e rëndësishme të theksohet, se ky veprim është ndërrmarrë nga drejtuesit e hekurudhës, e cila ka shpenzuar në mënyrë të zgjuar të ardhurat që ajo realizon, si dhe të ardhurat nga amortizimi i flotës së saj të vjetër, duke e shitur këtë të fundit. Investimi i këtyre të ardhurave po shkon drejt krijimit të një standardi të ri në përmirësimin e vagonave për transportin e udhëtarëve”- tha Haxhinasto.


Zgjidhja për ndërtimin e stacionit të trenit të Tiranës ishtë një nga shqetësimet kryesore të Ministrit që theksoi se kërkon ndërhyrje emergjente. “Shumë e domosdoshme është t’i jepet zgjidhje sa më shpejt ndërtimit të stacionit të Tiranës. Heqja e stacionit të vjetër ka sjellë rënie drastike me 50% më pak numër pasagjerësh në këtë linjë kaq të rëndësishme, prandaj zgjidhje përfundimtare për këtë çështje është emergjentë.  Stacioni i Trenit në Tiranë duhet të ekzistojë në çdo rrethanë edhe pse kemi konfirmuar që të ndërtohet stacioni multimodal i Kasharit. Ky është koncept modern në çdo kryeqytet, ku stacionet e trenit janë shumë afër qendrës” – u shpreh ai.


Standardi të ri në transportin e udhëtarëve
“Është hera e tretë që vijmë këtu, tek ofiçina e Hekurudhës Shqiptare, e cila, për hir të së vërtetës, ka filluar të ringjallet dhe një nga objektivat e saj është të krijojë një shërbim krejtësisht tjetër për transportin e pasagjerëve.


Këtu, në këtë ofiçinë, po realizohet një grup vagonësh dhe një lokomotivë që do t’u shërbejë linjave të pasagjerëve, veçanërisht linjës Tiranë-Durrës. Shumë e rëndësishme të theksohet se ky veprim është ndërmarrë nga drejtuesit e hekurudhës, e cila ka shpenzuar në mënyrë të zgjuar të ardhurat që ajo realizon, si dhe të ardhurat nga amortizimi i flotës së saj të vjetër, duke e shitur këtë të fundit. Investimi i këtyre të ardhurave po shkon drejt krijimit të një standardi të ri në përmirësimin e vagonëve për transportin e udhëtarëve.


Rinovimi i infrastrukës fizike të traseve
Hekurudha sigurisht që ka edhe shumë objektiva të tjerë të rëndësishëm. Jemi në rrugë të mbarë në rritjen e volumit të transportit të mallrave për sa i takon operimit të hekurudhës, por ne jemi duke u marrë ndërkohë nga ana tjetër, po përpiqemi të realizojmë rinovimin e infrastrukturës fizike të traseve dhe të realizojmë edhe lidhje të reja hekurudhore. Siç e dini jemi duke u përpjekur maksimalisht të miratojmë si pjesë të korridoreve evropiane lidhjen e Durrësit me Shkupin.


Stacion shumë pranë qëndrës
Por, sigurisht, edhe linjat e brendshme janë shumë të rëndësishme. Shumë e domosdoshme është që sa më shpejt t’i jepet zgjidhje ndërtimit të stacionit të Tiranës, pasi heqja e stacionit të vjetër, që ka qenë në fund të bulevardit “Zogu I”, në fakt, ka krijuar pothuajse përgjysmimin e numrit të pasagjerëve të kësaj linje të rëndësishme, të linjës kryesore të hekurudhës shqiptare që është Tiranë-Durrës. Prandaj duhet që sa më shpejt të ketë një zgjidhje përfundimtare çështja e stacionit të pasagjerëve.
Jemi dakord të ndërtohet stacioni multimodal i Kasharit, por stacioni i trenit në Tiranë duhet të ekzistojë në çdo lloj rrethane edhe sikur të kemi një stacion multimodal në kthesën e Kamzës është parashikuar apo stacionin e Kasharit. Këto janë stacione. Në fund të fundit, Tirana duhet të ketë një stacion brenda qytetit pasi ky është edhe koncepti modern në të gjitha kryeqytetet, të cilat e kanë stacionin shumë pranë qendrës.


Logo
Sot kemi edhe diçka tjetër të rëndësishme. Siç e shikoni edhe në background, kemi edhe logot e reja të hekurudhës shqiptare, të cilat janë dizenjuar në mënyrë shume profesionale për të gjitha shërbimet e ndryshme që ofron hekurudha, për shërbimin e mallrave, për shërbimin e pasagjerëve, për transportin e mallrave të rrezikshme.


Do të thosha që vërtet janë edhe logo simpatike që do t’i shikoni në të gjitha mjetet e lëvizshme të hekurudhës shqiptare por edhe në të gjithe stacionet e trenave që ka Shqipëria, të cilat gjithashtu do të rinovohen me qëllim që t’u shërbejnë sa më mirë qytetarëve.
Një zhvillim shumë pozitiv edhe për këtë veprimtari që po zhvillohet këtu, është angazhimi i njerëzve në punë. Pra, është krijuar një mundësi e re punësimi për të rinovuar edhe flotën që kemi aktualisht të mjeteve lëvizëse që ka krijuar, e theksoj, një mundësi të re punësimi për shumë qytetarë të Durrësit”.


Më të lexuarat