Secondary Adv

Ndryshon buxheti i shtetit: 12 mld leke per COVID-19, Infrastruktures i hiqen 900 mln leke

Koronavirusi dhe përballimi i pasojave të tij kanë çuar në ndryshimin e buxhetit të këtij viti.

 

Janë rreth 12 miliardë lekë që do të shkojnë për masat kundër COVID-19, ku 6.5 miliardë lekë do të shkojnë për pagat e punonjësve, 2.5 miliardë lekë për sektorin e shëndetësisë, 2 miliardë për ushqime dhe 1 miliardë shkon për fondin rezervë. Covid-19, veç pasojave të tjera, ka detyruar qeverinë të ndryshojë edhe shifrat e buxhetit të shtetit të vitit 2020, duke ulur pritshmërinë për realizimin e të ardhurave dhe duke rritur shpenzimet, si dhe deficitin buxhetor. Referuar të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, nga buxheti i shtetit për të përballuar situatën e krijuar nga Covid-19, do të alokohen direkt 12 miliardë lekë, ku 6.5 miliardë lekë do të shkojnë për sektorin social, duke iu siguruar lehtësime dhe mbështetjeve punëmarrësve  dhe qytetarëve të prekur nga pezullimi i punës.

 

Po ashtu 2.5 miliardë lekë do të shkojnë për sektorin e shëndetësisë, për blerje pajisjesh, medikamentesh, materiale mjekësore, për ofrimin e shërbimeve të nevojshme dhe për ekipet mjekësore. Ndërkohë për furnizimin me ushqime të familjeve në nevojë dhe pensionistë nga buxheti i shtetit do të jepen 2 miliardë lekë, dhe 1 miliardë do të jenë fond rezervë. Në aktin e ri normativ janë të sqaruar edhe zërat buxhetorë që kanë pësuar ndryshime, ku janë shkurtuar me 900 milionë shpenzimet kapitale të ministrisë së Infrastrukturës në zërin e transportit rrugor, duke kufizuar fondin e rrugëve. Ndërsa buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë ka arritur në 64.1 miliardë nga 62.9 miliardë që ishte parashikuar në buxhetin e miratuar.

 

Po ashtu qeveria ka marrë masat për të përballuar edhe më tej situatën pasi fondi rezervë ka arritur në 9.2 miliardë lekë nga 1,7 miliardë që ishte. Krahasuar me buxhetin i miratuar në 18 dhjetor të vitit të kaluar janë ulur pritshmëritë për të ardhurat: nga 509.6 miliardë që ishte parashikuar buxheti, ka zbritur në 489.6 miliardë lekë, ndërkohë është rritur niveli i shpenzimeve nga 549.3 miliardë që ishte parashikuar, tashmë me aktin e parë normativ shkon në 558.3 miliardë lekë. Sakaq deficiti buxhetor për këtë vit është parashikuar të rritet duke kapur vlerën e 68.6 miliardë lekë nga 39.6 miliardë që ishte.

 

Me këto të dhëna deficiti buxhetor shkon nga 2.2% të PBB-së që u parashikua arrin në 3.8% me këtë akt normativ. Po ashtu në aktin normativ është reflektuar edhe fakti që  shumë biznese janë të mbyllura për këtë arsye pritshmëritë për të ardhurat tatimore janë ulur pasi pritet që këtë vit të mblidhen vetëm 314 miliardë lekë dhe jo 334 siç u parashikua. Me këto rishikime rritja ekonomike arrin në 2.2% dhe jo 2.7% të parashikuar./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat