
50 sipermarrjet me te medha ne vend, me pronare femra
Sa më të mëdha bëhen ndërmarrjet, aq më shumë ulet përqindja e femrave që i drejtojnë ato. Vetëm 14,4% e ndërmarrjeve me 50 e më shumë të punësuar menaxhohen nga femrat, ndërkohë që 29% e ndërmarrjeve me 1-4 punëtorë drejtohen nga femrat, që përgjithësisht janë dyqane veshjesh, ose tregtimi ushqimor, parukeri etj.
Numërohen me pikatore, në pjesën më të madhe qëndrojnë në hije, megjithatë kanë treguar se kur është fjala për të menaxhuar një biznes, ndonjëherë ia arrijnë edhe më mirë se meshkujt. Me biznese që i kanë ngritur dhe drejtojnë të vetme, i menaxhojnë dhe i kanë në pronësi me bashkëshortët, apo kolegë të tjerë, pronaret femra po arrijnë të thyejnë tabutë dhe të përparojnë në renditjen e kompanive më të mëdha në vend, duke shënuar ritme rritjeje të shpejta të aktivitetit.
Sipas përpunimit të të dhënave nga Qendra e Kërkimit Monitor nga 600 kompanitë më të mëdha në vend, sipas qarkullimit vjetor, 50 prej tyre, ose 8%, janë të paktën 30% në pronësi të femrave (shiko tabelën: Renditja e kompanive më të mëdha në vend, që janë të paktën 30% në pronësi të femrave).
Nga këto, 20 sipërmarrje janë 100% në pronësi të femrave; 17 zotërohen në mbi 50% të aksioneve dhe 13 kompani janë 30-50% në pronësi të femrave.
Në renditjen e 50 kompanive më të mëdha me pronare femra mbizotëron sektori i tregtisë me pakicë e shumicë, si dhe i shërbimeve. Më pas vijojnë kompanitë e farmaceutikës, një sipërmarrje që përgjithësisht preferohet nga femrat. Nuk mungojnë as bizneset e vështira, si tregtia e naftës, apo dhe ndërtimi.
10 kompanitë më të mëdha me pronare femrat
Në renditjen e 10 kompanive më të mëdha me pronare femra spikasin kompani të vjetra, me ecuri të qëndrueshme vit pas viti, të drejtuara nga sipërmarrëse të njohura, por ka dhe hyrje të reja, shpesh të panjohura, apo kompani të krijuara në 2012-2013, që kanë shënuar një ngjitje të shpejtë në 2013-n, duke parë rritje të lartë të qarkullimit vjetor.
1.Info-Telecom
Info-Telecom, në pronësi 60% të Anisa Skëndaj, e cila është dhe administratore, ishte në vitin 2013, kompania më e madhe në vend me pronare femër. E krijuar në 2009-n, kompania pa një rritje të fortë në 2013-n, me një qarkullim vjetor nga 3.6 në 14.4 miliardë lekë, duke u pozicionuar në të 13-n më të madhe në vend në renditjen totale të sipërmarrjeve më të mëdha për nga xhiro.
Info-Telecom është një operator i licencuar i komunikimeve elektronike në Shqipëri, duke ofruar shërbime me pakicë e shumicë në telekomunikacione dhe shërbim të dhënash (data service). Ajo ka marrë licencën nga AKEP për të ofruar shërbimet e telefonisë fikse publike, transitit kombëtar, transitit ndërkombëtar, transmetimin e të dhënave, përmes përdorimit të rrjetit të saj publik për shërbime elektronike dhe planit numerik të caktuar nga AKEP.
2.Marketing & Distribution
Marketing & Distribution, një sipërmarrje e qëndrueshme prej vitesh, ndër më të mëdhatë në fushën e distribucionit, ishte deri në 2012-n, kompania më e madhe, në pronësi të një femre, zj. Vilma Nushi (me 100% të aksioneve). Ndonëse ka mbajtur një profil të ulët në publik, zj. Nushi njihet si një nga sipërmarrëset më të mira dhe më me përvojë në vend.
Në vitin 2013, Marketing & Distribution arriti të rimarrë pas dy vitesh vendin e parë mes distributorëve, pas një rritjeje të ndjeshme me bazë vjetore prej gati 40% në 15.2 miliardë lekë, duke u ngjitur në renditjen totale në vendin e 19. Rritja e kompanisë ka ardhur pasi ka marrë shpërndarjen e cigareve, Imperial Tabacco dhe Japan Tabacco International.
3.Gend 2012
Gend 2012 rezulton kompania e tretë më e madhe në vend në pronësi të një femre (Suela Berisha me 100% të aksioneve). Megjithatë, ajo ka blerë 100% të aksioneve të kompanisë në mars të vitit 2014. Gend 2012 ka si objekt të aktivitetit import- eksport të produkteve, materialeve teknologjike, të vendit dhe të huaja, tregtim të të gjitha materialeve të ndërtimit, pajisje, makineri, automjete të ndryshme, realizim të operacioneve tregtare, industriale, financiare, të pasurive të luajtshme etj. Ndonëse e krijuar në maj të 2012-s, kompania ka arritur të realizojë një xhiro prej 5 miliardë lekësh në vitin e parë të plotë të aktivitetit (2013), pothuajse dyfishim në raport me 2012-n.
4.Digitalb
Digitalb është operatori më i madh i shërbimeve televizive, me pagesë në vend, ku femrat e familjes Hoxha zotërojnë 40.7% të aksioneve. Një model unik dhe i suksesshëm biznesi, që u nismua më se 10 vjet më parë nga i ndjeri Dritan Hoxha, vijon të ecë sot në të njëjtën rrugë, duke qenë pioniere në teknologji dhe shërbime. Në 2013-n, kompania realizoi një qarkullim vjetor prej 4.9 miliardë lekësh.
5.Interlogistic
Interlogistic, një tjetër kompani e rëndësishme në fushën e distribucionit, është në pronësi 100% të Majlinda Hidos, duke e bërë atë dhe motrën e saj (Vilma Nushi e Marketing & Distribution), aktoret kryesore të tregut të distribucionit në vend. Në vitin 2013, Interlogistic kishte një qarkullim vjetor prej 4.4 miliardë lekësh, me një rritje vjetore prej 2%.
6.AFT
AFT është një shoqëri e re aksionere me aktivitet në tregtimin me shumicë, transportimin, importimin dhe eksportimin e hidrokarbureve, si dhe çdo aktivitet tjetër që lidhet me këto aktivitete. Kompania përmendet në një raport të Autoritetit të Konkurrencës për karburantet si një nga hyrësit e rinj me rritje të shpejtë, duke arritur në 6% të tregut të shumicës në 2013-n. Kompania është 100% në pronësi të Romina Shemaj. Në vitin 2013, sipërmarrja kishte një qarkullim vjetor prej 4.4 miliardë lekësh, 12 herë më e lartë se 2012-a, viti i parë jo i plotë i aktivitetit, ku kompania regjistroi një qarkullim vjetor prej rreth 300 milionë lekësh.
7.Rejsi Farma
Rejsi Farma është kompania më e madhe në vend e tregtimit të produkteve farmaceutike.
Merita Sheqi, që zotëron 50% të aksioneve (pjesën tjetër e zotëron bashkëshorti), me dorën e saj të fortë drejtuese në 14 vjet aktivitet ka arritur të konsolidojë biznesin. Vitet e fundit, kompania ‘Rejsi Farma’ po punon fort për të arritur standardet e cilësisë, që lidhen me ‘GDP standard’. “Këto standarde të arritura janë të lidhura me cilësinë e ruajtjes, distribucionit të produktit në kushte të certifikuara”, – thotë Merita Sheqi. Ajo pranon se ka përherë në krah të shoqin. Kompania realizoi një qarkullim prej 3.8 miliardë lekësh në 2013-n, me një rritje vjetore prej 5%.
8.Amla-2013
Amla-2013 është një tjetër sipërmarrje e re, e krijuar në janar 2013. Në qershor 2013, kontrollin e aksioneve të kompanisë e mori Spira Janko, që u bë dhe administratore e kompanisë. Sipërmarrja ka si objekt aktiviteti tregti me shumicë e pakicë, tregtinë e skrapit etj., sipas ekstraktit të saj në QKR. Në 2013-n, që ishte dhe viti i parë i aktivitetit, qarkullimi vjetor i saj arriti në 2.45 miliardë lekë.
9.Teuta Durrës
Eleni Babameto, prej 20 vitesh drejton me bashkëshortin (me të cilin ndajnë aksionet nga 50% secili) kompaninë Teuta Durrës, me aktivitet në fushën e importimit dhe eksportimit, paketimit, prodhimit të brumë rave dhe tregtimit të artikujve ushqimorë. Ishte ajo që nisi rrugën e biznesit, teksa më parë, nga vitet 1977-1990 kishte punuar si inxhiniere dhe përgjegjëse prodhimi për bukën, niseshtenë, konservat e perimeve, makaronat, etj., në Fabrikën Niseshte-Konserva në Shijak, pjesë e Ndërmarrjes Ushqimore. Edhe pas ndryshimeve politike të ‘90-s, vijoi aty si drejtuese e fabrikës deri në momentin e privatizimit në maj 1994. Fillimisht hyri me një përqindje të vogël aksionesh, për të marrë më pas pronësinë e kompanisë, së bashku me të shoqin. Pas vitesh punë, Eleni Babameto i bashkon arritjet me përkushtimin, seriozitetin, pasionin për punë. “Ato dhanë rezultat, duke bashkuar edhe kontributin e stafit të shoqërisë. Ne u fokusuam kryesisht në tri drejtime, në importimin e produkteve ushqimore bazë, që nuk prodhohen në Shqipëri si orizi, sheqeri, vaji, niseshteja, përpunimin, paketimin e tyre, tregtimin dhe shpërndarjen në gjithë vendin”, – thotë ajo. Ndonëse një vit i vështirë me rënie konsumi, kompania arriti të ruajë një xhiro prej rreth 1.87 miliardë lekësh.
10.Top Channel
Sërish në listën e 10 kompanive më të mëdha janë femrat e familjes Hoxha, që zotërojnë 32% të Top Channel, televizionin më të madh në vend për sa i përket xhiros dhe numrit të të punësuarve, por edhe audiencës. Në vitin 2013, Top Channel realizoi një qarkullim vjetor prej rreth 1.8 miliardë lekësh, me një rritje vjetore prej 25%.
Studimi i ILO-s: Shqipëria e 77-a në botë për femrat drejtuese; 22.5% në poste menaxheriale
ILO: Vetëm 5% e korporatave kanë në krye të tyre si drejtuese femrat. Sa më e madhe kompania, aq më e pakët është mundësia që në krye të jetë një grua. Shqipëria gjendet e 77-a në listën e 108 vendeve të anketuara nga Organizata Ndërkombëtare për Punonjësit, ILO, për përfaqësimin e femrave në drejtim, me rreth 22.5% të grave në postet menaxheriale. Gjithashtu bëhen të ditura shifrat e vendeve si Serbia, e renditur në vendin e 60, me 29.1%, Kroacia e 66-a, me 27,6%, e ndjekur nga Mali i Zi, me 27.3%. Greqia mban vendin e 71-të në rankimin botëror, me 25.8%, e ndjekur nga Italia fqinje, me 25,1%.
Raporti
Ndërkohë që gratë nuk arrijnë të kenë përfaqësinë e duhur në postet menaxheriale, numri i tyre në poste të mesme është rritur shumë në 20 vitet e fundit. Këtë përfundim e ka nxjerrë studimi më i fundit i Organizatës Ndërkombëtare për Punonjësit (ILO).
Duke iu referuar Grave në Biznes dhe Menaxhim, në 80 nga 180 shtete ku është zhvilluar studimi, të dhënat tregojnë se përqindja e grave në postet menaxheriale është rritur gjatë këtyre viteve të fundit. “Kërkimi ynë tregon se rritja e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës ka qenë ndër motorët kryesorë të rritjes së konkurrueshmërisë globale”, tha Deborah Francë Massin, kreu i këtij raporti pranë ILO.
“Rritja e numrit të studimeve që tregon lidhjen pozitive mes pjesëmarrjes së grave në poste të larta në punë, i bën ekipet dhe strukturat e biznesit të performojnë mirë. Por, ende na pret një rrugë e gjatë përpara se të arrijmë barazi të vërtetë gjinore në vendin e punës, sidomos kur flasim për pozicionet e larta menaxheriale”,- deklaron më tej Massin.
Më tepër gra në kompani
Prania më e madhe e burrave në kompani është qartësisht më e madhe, por ky numër po bie, duke qenë se gratë po arrijnë 20% e më tepër të pozicioneve të ndryshme brenda në kompani, në të gjithë këto shtete. Anketa botërore e zhvilluar tregoi se Norvegjia ka rritjen më të lartë, me rreth 13.3% me gra të punësuara në poste të mira, e ndjekur pastaj nga Turqia, me rreth 11.1%.
Është kritike, tregon France-Massin se si raporti i një “muri qelqi” ekziston ende, duke arritur të frustrojë një grua te disa lloje postesh si komunikimi, burimet njerëzore dhe më pak te krerët administrativë. Sot, një grua menaxhon rreth 30% të të gjithë bizneseve, por pjesa më e madhe e tyre gjendet në bizneset e vogla dhe të mesme. Rritja e numrit të grave në postet e menaxhimit nuk është vetëm kritike për barazinë gjinore, por edhe për zhvillimin e shtetit, nënvizon ky raport.
Raporti tregon statistika në aferën e menaxhimit të grave në shumë shtete, te të gjitha hallkat e zhvillimit. Ai gjithashtu përmban të dhëna në diferencat gjinore dhe në edukimin e tyre. Gjithashtu identifikohen momentet kryesore që kanë çuar në avancimin e grave në postet e larta menaxheriale dhe listën e iniciativave të ndryshme në të gjithë botën.
Autorët nënvizojnë se gratë dhe vajzat përbëjnë më tepër se sa gjysmën e studentëve në universitete. Ata shtojnë në fund se Organizatat e Punësimit mund të luajnë rol të madh në rritjen e sensibilizimit për rastet ku një grua duhet të jetë në postet menaxheriale.
Shifrat e raportit në botë
Xhamajka kryeson në listë me numrin më të madh prej 59.3% të grave menaxhere, ndërsa Jemeni më i ulëti, me 2.1%. SHBA është i 15-i në numër në listën e 108 shteteve me 42.7% të grave në rolet menaxheriale, Britania e 41-ta me 34.2% dhe Rusia e 25-ta me 39.1%. Në Afrikë, Gana 39%. Në Azi kryesojnë Filipinet me 47,6%, e renditur e 4-ta në listë. Vendin e dytë në listë e mban Kolumbia, me 53.1%./Monitor
Më të lexuarat








