Termeti gjunjezoi ekonomine: Ndertimi ne pikiate, bie me 15 per qind
Tremujori i katërt i vitit të kaluar ka shënuar një pikë kthese në ecurinë deri tani pozitive të ekonomisë shqiptare.
Sipas INSTAT në tetor-dhjetor prodhimi vendas ishte 0.15% më i ulët se një vit më parë, dukshëm për shkak të tërmetit. Ndërtimi në rënie 15%, por industria nxjerrëse +12%. Rritja ekonomike në tremujorin e tretë të vitit të kaluar ka shënuar një shifër negative. Sipas statistikave zyrtare të INSTAT-it, ekonomia shqiptare ka shënuar një tkurrje të lehtë prej 0.15 përqindësh në periudhën tetor-dhjetor 2019, duke pasqyruar dukshëm efektin e tërmetit të nëntorit.
Në këtë mënyrë, rritja vjetore e Prodhimit të Brendshëm Bruto rezulton 2.2%, nga 4% në 2018-n, duke qenë kështu tendenca më e ulët që nga viti 2014. Në këtë tremujor, aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rënie me 1,59 %. aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rritje me 8,83 %. Ndikimin kryesor në këtë rritje e ka dhënë Industria nxjerrëse e cila ka shënuar një rritje me 11,69 %. Aktiviteti i Ndërtimit pati një rënie me 14,77 %. Grupi i aktiviteteve Tregti,Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rritje prej 2,48 %. Grupi i aktiviteteve Informacioni dhe Komunikacioni u shfaq me rënie prej 0,07 %.
Aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 9,84 %. Aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 6,67 %. Grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rënie prej 6.45 %. Sipas INSTAT, Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 1,64 %. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 9,85 %, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u ulën me 0,77 %./Burimi: Shqiptarja.com