Secondary Adv

OSHEE sqaron faturimin reference per marsin: Cfare ndodh me bizneset e mbyllura

Kushtet e situatës së jashtëzakonshme, e kanë detyruar dhe OSHEE, që të përshtatet për faturimin e energjisë së muajit mars, duke përdorur edhe faturat referencë.

 

Sipas të dhënave nga OSHEE, për muajin mars, praktikisht do të kombinohet procesi i leximit normal për një numër të konsiderueshëm konsumatorësh, rreth 60-70%, ndërsa për pjesën tjetër, në pamundësi leximi, do të aplikohet një vlerë referuese (gjendje kreditore) që do të ketë referencë marsin e kaluar të vitit 2019. Burimet nga OSHEE thanë se kjo zgjidhje ishte e detyruar, pasi stafi nuk punon me kohë të plotë dhe nuk arrin të bëjë leximin e të gjithë matësave, dhe nga ana tjetër mund të hasin dhe në një situatë të tillë, ku në shtëpitë private mund të mos i hapin dyert.

 

Por, si do të shmanget që familjari të mos paguajë më shumë apo më pak sesa ai ka konsumuar realisht në mars. Burimet nga OSHEE sqaruan se leximi i radhës do të bëjë balancën dhe do të dalë diferenca në prill. Pra, nëse familja ka konsumuar më pak në muajin mars 2020, sesa në mars të një viti më parë kur është marrë referenca, atëhere fatura e prillit do të reflektojnë diferencën, duke e zbritur shumën që është paguar tepër. E kundërta, nëse është konsumuar më shumë. Janë marrë në konsideratë edhe parametrat që e prodhojnë referencën e marsit. 

 

Pra nëse abonenti nuk banon nuk do të faturohet dhe kjo do të shihet bazuar dhe në konsumin e muajve të mëparshëm (dhjetor-shkurt). Por, nëse ka pasur konsum në dhjetor-shkurt, edhe marsi do të rezultojë me konsum, që do të balancohet sërish muajt në vijim. Të dhënat paraprake flasin se për kosumatorët familjarë ka pasur një rritje të konsumit të energjisë në mars, për vetë faktin se kanë qëndruar për një periudhë më të gjatë në shtëpi, e kundërta ka ndodhur me bizneset. OSHEE tha se çdo lloj ankese do të marrë prioritet 10 ditë për tu zgjidhur, por në çdo rast, leximi i muajit të radhës do të shërbejë për balancim.

 

Si do të veprohet për bizneset

Shumë biznese, si bare, restorante e shërbime të tjera rezultojnë të mbyllura, nga 20 marsi, pas një vendimi të qeverisë, në kuadër të masave për të luftuar përhapjen e koronavirusit, që ka nxjerrë dhe listën e aktiviteteve që nuk lejohen të punojnë. Për këta biznese, OSHEE sqaron se faturimi do të bëhet për 15 ditë, po me referencë marsin e vitit të kaluar. Njësoj si me familjarët diferencat do të kompensohen muajin në vijim.

 

Rreth 70% do faturohet sipas matësave

OSHEE vlerëson se 70% e abonentëve do të faturohen në bazë të leximit real për muajin mars dhe pjesa tjetër do të ketë faturim referencë. Nëse në prill do vazhdojë e njëjta situatë, do të vijojë krijohet një grafik leximi, por në çdo rast, do të bëhet kompensimi, me shumë apo më pak,në bazë të leximit real të muajve në vijim. Më herët, kryeministri Rama ka pohuar se është shumë e rëndësishme që energjia të paguhet, pasi kjo mundëson mbarëvajtjen e aktivitetit të operatorit të energjisë, i cili është i detyruar që ta blejë atë. Një lehtësi që u bë ishte falja e kamatëvonesave. Ndërkohë që pikat ku mund të paguhet energjia janë të shumta, nga ato të OSHEE-së, postave dhe kanaleve alternative./Burimi: Monitor


Më të lexuarat