
Plani urbanistik i Tiranes, ja kur perfiton ndertuesi pa leje
Vetëm në kryeqytet rezultonin rreth 14 mijë ndërtime, të cilat nuk mund të legalizoheshin, pasi binin ndesh me planet urbanistike të miratuara. Vendimi i fundit i qeverisë e zgjidh këtë problem të zgjatur prej vitesh.
Kështu, ndërtimet deri në 6 kate, pavarësisht nëse janë ndërtuar në tokë shtet apo tokë me pronarë, do të përfshihen në proces. Ndërsa aty ku planet parashikojnë ndërtime mbi 6 kate, pronari i tokës është i detyruar të hyjë në marrëveshje me ndërtuesin pa leje, duke i siguruar këtij të fundit strehim.
Zgjidhja
Drejtori i ALUIZNI-t për qarkun e Tiranës sqaron se si është dhënë zgjidhja për të gjitha kategoritë e ndërtimit. Sipas Rajtës, në ligjin e vjetër përcaktohej që aty ku ka studime që parashikojnë ndërtime mbi pesë kate, nuk do të ketë legalizim dhe e drejta e zhvillimit të asaj prone i takon pronarit, kur ishte tokë me pronarë.
Por çfarë solli kjo? Veçse bllokim, thekson ai, pasi as ndërtuesit pa leje nuk e legalizonin dhe as pronarët nuk e zhvillonin. Për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare këtij ngërçi, shteti ka hyrë në mes. “Ne kemi rritur numrin e kateve. Për rrjedhojë, atje ku ka ndërtime mbi 6 kate, nëse pronari kërkon vetë të tërhiqet, ai kompensohet dhe ndërtuesi pa leje vijon legalizimin. Nëse ai që posedon ndërtimin pa leje ka mbi 50% të sipërfaqes me tapi, përsëri e drejta e zhvillimit i takon atij që ka ndërtimin pa leje.
Kjo vlen edhe përrastet kur 50% e parcelës ndërtimore është tokë shtet. Ndërsa aty ku plani rregullues parashikon ndërtim mbi 6 kate dhe toka është me pronarë, të drejtën e zhvillimit të pronës e ka pronari, por me kushtin që të hyjë në marrëveshje me atë që zotëron ndërtimin pa leje për të garantuar strehim”, nënvijëzoi Rajta. E drejta e pronarit lind në momentin që firmoset marrëveshja. Nëse poseduesi i ndërtimit pa leje nuk bie dakord, ai përfshihet në kategorinë e të pastrehë, ku sipas ligjit në fuqi, përcaktohet sipërfaqja e banesës që i takon.
Situata në vend
Aktualisht janë rreth 14 mijë ndërtime pa leje, të cilat nuk përfshiheshin në proces legalizimi, pasi cenoheshin nga planet rregulluese të miratuara nga bashkitë. Vetëm në Kamzë janë rreth 5 mijë objekte që nuk legalizoheshin, sepse binin ndesh me planet rregulluese. Pjesa tjetër e ndërtimeve pa leje janë të përqendruara në Paskuqan dhe në territorin e Bashkisë Tiranë, ku njësitë më të rrezikuara janë njësia 6 dhe 7, përkatësisht Kombinat dhe ish-Fusha e Aviacionit, me një numër total prej 5 mijë objektesh pa leje.
Lejet
Në harkun e tre muajve janë shqyrtuar rreth 21 mijë dosje vetëm në qarkun e Tiranës, nga ku një pjesë e tyre kanë gati lejen, ndërsa pjesa tjetër faturën që duhet të paguhet për parcelën ndërtimore. “Kemi punuar me kapacitet të plotë. Nga analiza tremujore e institucionit, rezulton që kemi shqyrtuar rreth 700 dosje në muaj”, theksoi më tej Paulin Rajta.
Kriteret për legalizimin e ndërtimeve në zonat informale
Ndërtimi informal i llojit “objekt”, i ngritur brenda vijës kufizuese të zonës informale të miratuar përjashtohet nga legalizimi kur:
• shkel distancat e lejuara të rrugëve ekzistuese, të kategorive A e B, ose trupin e rrugëve ekzistuese, të kategorive C, D e E, sipas përcaktimeve të ligjit nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të akteve në zbatim të tij
• cenon sistemin ose shkel brezin mbrojtës të vijës hekurudhore ekzistuese funksionale, të nivelit kombëtar
• është ngritur brenda vijës kufizuese të parcelës ndërtimore të ndërtesave publike
• është ngritur në zonën e sigurisë së centraleve prodhuese të energjisë elektrike, nënstacioneve elektrike ose shkel brezin mbrojtës të sistemit të linjave ekzistuese të interkonjeksionit
• është ngritur brenda zonës mbrojtëse të objekteve të trashëgimisë kulturore
• cenon vëllimin ose pamjen e jashtme të monumentit të kulturës, të kategorisë II
• është ngritur brenda zonave dhe/ose nënzonave të mbrojtura, apo zonave të ruajtjes së veçantë, shkalla e mbrojtjes të së cilave nuk lejon ndërtime me funksion banimi apo social/ekonomik
• është ngritur brenda territorit/vijës kufizuese të parcelës ndërtimore të ndërtesave objekt kulti, përveç rasteve kur posedues/subjekt ndërtues është vetë institucioni fetar
• preket nga projektet e infrastrukturës rrugore dhe të sistemeve të linjave energjetike të interkonjeksionit, të miratuara nga autoritetet qendrore të planifikimit të territorit (KKT), sipas legjislacionit në fuqi
• është ngritur brenda distancës në të cilën nuk lejohen ndërtime, nga brigjet e deteve dhe liqeneve, të përcaktuara në dokumentet e planifikimit të territorit, të miratuara sipas legjislacionit në fuqi
Më të lexuarat








