
Lejet e ndertimit ne 2014, bie interesi per pallatet, rritet per hotelet
Bie numri i lejeve të ndërtimit, sidomos për objektet e banimit. Në tremujorin e katërt 2014 janë miratuar gjithsej 51 leje ndërtimi, sipërfaqja e të cilave është 80.329 m².
Sipas INSTAT-it, lejet e miratuara për ndërtesa rezidente (ku përfshihen ndërtesat për banim) zënë 37,3% të numrit gjithsej të lejeve dhe ato për ndërtesat jorezidente (ku përfshihen ndërtesat për hotele, tregtare, industriale dhe të tjera) zënë 62,7%.
Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit në tremujorin e katërt 2014 shënoi një rënie prej 80,9% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkaq krahasuar me tremujorin e tretë 2014, ky tregues paraqitet me një rënie prej 86,3%. Gjatë këtij tremujori, numri i lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja është përqendruar në qarqet Tiranë me 56,8%, Lezhë dhe Vlorë me nga 11,8% secila.
Sipërfaqja e ndërtuar
Renditur nga vlera e ndërtimeve dhe sipërfaqja, Qarku i Vlorës zë vendin e parë për ndërtimet që kanë marrë leje në tremujorin e katërt 2014. Sipërfaqja e shënuar në lejet e ndërtimit në Qarkun Vlorë është 32.692 m², ndërsa në Qarkun e Tiranës sipërfaqja e dhënë për ndërtim është 23.909 m².
Në raport me një vit më parë, hapësira e dhënë për objekte në Tiranë është 20-fish më e vogël. Në tremujorin e katërt 2013, sipërfaqja që u korrespondonte lejeve të ndërtimit ishte 420.046 m². Në ulje vjen kjo shifër edhe për Durrësin e Fierin. Në tremujorin e fundit 2014, Durrësi ka dhënë leje ndërtimi për 10.021 m², ndërsa në të njëjtën periudhë të një viti më parë kishte lëshuar leje për hapësirën 58.332 m². Në Qarkun e Fierit janë dhënë leje për 3.569 m², ndërsa një vit më parë. sipërfaqja e dhënë për ndërtim ishte 8.598 m².
Vlera e ndërtimeve
Vlera e ndërtimit është një tregues tjetër që flet për cilësinë e lejeve të dhëna. Në total, gjatë tremujorit të fundit, vlera monetare e projekteve për të cilat janë dhënë leje arrin mbi 2.3 miliardë lekë. Por një tregues interesant është se shteti mban një peshë shumë vogël në lejet e ndërtimit krahasuar me privatët.
Kështu, qeveria dhe pushteti vendor nuk ndërtojnë asnjë pallat banimi, ndërsa privatët kanë marrë leje për projekte me vlerë 749.8 milionë lekë. Pjesa tjetër e objekteve, për të cilat është dhënë leje, janë hotele, ndërtesa tregtare, ndërtesa industriale dhe ndërtesa të klasifikuara “Të tjera”. Në vlerë totale, projektet e objekteve jorezidenciale kapin shifrën 1.6 miliardë lekë, ku shteti përfshihet me pjesën e vogël prej 38 milionë lekë.
Statistikat flasin për interesim në rritje për ndërtimin e strukturave akomoduese. Projektet për ndërtimin e hoteleve kapin vlerën 797 milionë lekë, duke u krahasuar me vlerën e objekteve rezidenciale. Ndërsa projektet e ndërtimit të objekteve tregtare kap vlerën mbi 205 milionë lekë. 309.6 milionë lekë është vlera e objekteve industriale, ndërsa projektet e zërit “Të tjera” kushtojnë 295.6 milionë lekë. Shteti është klient i lejeve të ndërtimit për punimet inxhinerike.
Në total projektet inxhinierike kushtojnë 843.5 milionë lekë, nga të cilat 833.5 janë shtetërore dhe 9.9 milionë lekë punime private. Në këtë kategori, rrugët dhe autostradat zënë vlerën 670.3 milionë lekë, linjat e ujësjellësve, elektrike dhe telekomunikacionit kapin shifrën 39.2 milionë lekë, nga të cilat 35.4 milionë lekë janë projekte shtetërore dhe private, 3.7 milionë lekë. Lejet e dhëna për ndërtime komplekse industriale është 65 milionë lekë dhe punimet e tjera inxhinierike 68.8 milionë lekë, nga të cilat një pjesë e vogël janë projekte private. Nëse do të shihnim vlerën totale të projekteve për të cilat janë dhënë leje ndërtimi sipas qarqeve, Vlora zë vendin e parë me mbi 1 miliard lekë, ndërsa Tirana zë vendin e dytë me vlerën 663.4 milionë lekë.
Të dhënat
Shpërndarja e lejeve të ndërtimit sipas qarqeve:
• Berat 0
• Dibër 0
• Durrës 4
• Elbasan 0
• Gjirokastër 2
• Fier 4
• Korçë 0
• Kukës 0
• Lezhë 6
• Shkodër 0
• Tiranë 29
• Vlorë 6
Burimi: Gazeta Shqip
Më të lexuarat








