Secondary Adv

Qeveria merr 100 mln euro borxh nga tregu i brendshem: Interes i larte nga bankat

Qeveria shqiptare siguroi 100 mln euro borxh nga tregu i brendshëm nëpërmjet emetimit të obligacionit 2 vjeçar, në ankandin që u zhvillua sot. 

 

Bankat ofruan financim përtej kërkesë së qeverisë me një shumë prej 163,9 milionë euro, por për shkak të interesit të lartë të kërkuar qeveria ka pranuar të financohet më së paku 20 milionë euro më pak se kërkesa fillestare. Shuma 100 milionë euro u mor kundrejt një kuponi indikativ 1,96 %, teksa qeveria synonte pagesën e interesit jo më shumë se 1,8%. Oferta e bankave ka qenë për një interes gati 0,16% më të lartë se planifikimi i qeverisë. Për rrjedhojë nga shuma prej rreth 163,9 milionë eurosh që ofruan bankat qeveria pranoi vetëm 100 milionë euro.

 

Nga 37 kërkesa për të blerë obligacionin në euro u  pranuan gjithsej 32. Burimet nga tregu pohojnë se qeveria ka nevojë të financohet se paku me 200 milionë euro, por zgjodhi të mos e emetojë të gjithë shumën menjëherë për të mos krijuar presion tek normat e interesit. Ankandi u zhvillua për llogari të qeverisë shqiptare e cila këtë herë po e merr borxhin në euro, duke tentuar ta sigurojë atë nga institucionet financiare, apo dhe individë e të tjerë. Kjo është hera e shtatë që Banka e Shqipërisë zhvillon ankand për shitjen e obligaciot në euro. 

 

Ankandi i fundit ishte zhvilluar në 17 gusht të vitit 2017 dhe ishte për një shumë prej 45 milionë eurosh, me një kupon indikativ prej 0.7%. Në të gjashtë obligacionet e mëparshme në valutë, shuma e shpallur ka variuar mes 25 dhe 50 milionë euro, duke e bërë ankandin e të hënës më të madhin në histori, sa i përket obligacioneve të emetuar në euro. Ky ankand nuk ishte planifikuar në ankandet e radhës së Bankës së Shqipërisë, e cila i publikon ato sipas një kalendari të caktuar. 

 

Ndërkohë, qeveria ka bërë të ditur nevojat e saj për valutë, por nuk ka specifikuar destinacionet se si do përdoret ky borxh, i cili po merret në një kohë që ekonomia dhe buxheti po kalojnë një situatë të vështirë për shkak të pezullimeve që synojnë frenimin e përhapjes së koronavirusit. Gjithsesi, ekspertët paralajmërojnë se rritja e borxhit në valutë duhet bërë me kujdes, pasi mbulimi ka ardhur kryesisht nga tregu i brendshëm, që ka burime të kufizuara në këtë monedhë./Burimi: Monitor


Më të lexuarat