Secondary Adv

Shtepite me qira ne Tirane, rriten cmimet me 15 per qind

 

Të jetosh në shtëpi me qira në kryeqytet nuk është e thjeshtë. Dita ditës për faktorë të ndryshëm çmimet po rriten. Jo vetëm, sepse çdo vit vijnë studentë nga mbarë vendi, të cilët pasi sigurojnë një punë të qëndrueshme nuk rikthehen më në rrethe. Por sepse shumë të huaj kanë zgjedhur që të jetojnë në Shqipëri, për shkak të punëve sezonale që ata bëjnë në vendin tonë.


Arjeta Lazri, punonjëse në një agjenci imobilare në kryeqytet sjell panoramën e çmimeve të shtëpive me qira. Përsa i përket ndryshimit të çmimeve për shtëpitë me qira gjatë viteve të fundit tregon se: “Vitet e fundit ka patur rritje të çmimeve të qirave, kjo si pasojë e një kërkese në rritje nga shtetas të huaj, të cilët punojnë dhe studiojnë në Shqipëri”.


Njerëzit vazhdojnë që të kenë çdo ditë edhe më tepër kërkesa për shtëpi pranë agjencive. Sipas Lazrit, kërkesat për shtëpi me qira sa vijnë dhe po shtohen, por më së shumti, këto kërkesa janë sezonale dhe kanë të bëjnë me personat, që nuk jetojnë në Tiranë. Pra bëhet fjalë për ata njerëz që punojnë ose studiojnë, përfshijmë këtu edhe shtetas të huaj.
E ndërsa numri i shtetasve të huaj në Tiranë dhe në Shqipëri është rritur, kjo sjell një rritje të kërkesës dhe gjithashtu një rritje të çmimeve të qirasë”. Kjo qira nga vitet e kaluar është rritur deri në 10-15 për qind më tepër, një shifër kjo jo e përballueshme për ata që kjo periudhë i ka gjetur pa asnjë punë.


Zonat më të shtrenjta në kryeqytet
Ajo na rendit çmimin më të lartë edhe atë më të ulët, duke na thënë se, çmimet më të shtrenjta, si për shitje ashtu edhe për qira janë zonat e Bllokut, Gardës, deri te Diga e Liqenit, të cilat preferohen, si nga shtetas të huaj, ashtu edhe nga ata vendas. (Qiraja 400 € - 2000 €/muaj). “Zonat më të lira të qytetit të Tiranës mund të quhen zonat e Yzberishtit dhe Freskut”.
(Çmimi mund të variojë: Qiraja 10.000 lekë-30.000 lekë/muaj). Ajo shton më tej se, zonat më të preferuara për të jetuar me qira janë zonat përreth Liqenit dhe Parkut të madh të Tiranës. Përgjithësisht pëlqehen apartamentet me pamje të bukur dhe ajër të pastër, larg kaosit dhe zhurmave të zonave qendrore të qytetit.


Pothuajse të njëjtën situatë tregon edhe Ana Pertena, e cila është punonjëse në një tjetër agjenci në kryeqytet. Ajo shpjegon se kërkesat për shtëpi me qira, në harkun kohor, nga fillimi i vitit deri tani kanë qenë në rritje. “Ka një fenomen, që kërkesat vinë me çmime përafërsisht të caktuara nga marrësit e qirave, për arsye se kriza jo vetëm e vendeve në zhvillim, por edhe kriza në vend ka bërë të vetën”.
Ndërsa sipas Pertenës, zonat më të shtrenjta në Tiranë janë në qendër, si për qiranë, ashtu dhe për tregun e shitjeve dhe blerjeve. “Përgjithësisht çmimet e qirave shkojnë mbi 300 euro në zonat afër qendrës dhe bllokut, dhe deri në 300 mijë lekë të vjetra në zonat periferike”. Ndërsa, përsa i përket zonave që preferohen më tepër për të marrë shtëpi me qira, Ana shprehet se nuk mundet që të thotë një përgjigje të saktë, pasi gjithçka varet nga buxheti.


“Për personat me buxhet shumë të vogël, nuk ka rëndësi zona, por çmimi. Është krijuar përshtypja se zona e preferuar, që do të donin të jetonin shumica e shqiptarëve dhe të huajve, është zona e bllokut, por në pamundësi për ta arritur këtë, sepse faktori buxhet, të cilin shumë shpesh e përmendim, secili duke ditur buxhetin e tij, bën edhe kërkesën e zonës”. Por sipas saj, ka edhe raste, që duke i referuar agjencisë buxhetin e poseduar, detyrohen t’i distancohen preferencës së parë, meqenëse nuk arrijnë ta realizojnë. Pra buxheti i limituar, në një farë mënyre ua kthen dëshirën në një “mollë të ndaluar”./Shekulli


Më të lexuarat