Shperndarja e dividendit: AMF kerkon pezullimin e procedures nga shoqerite e sigurimit
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bëri me dije se u ka kërkuar së fundmi shoqërive të sigurimit të pezullojnë procedurat e shpërndarjes së dividendit.
Masa e njoftuar nga AMF vjen në kushtet e situatës së krijuar nga koronavirusi dhe sipas rekomandimeve të Autoritetit Europian të Sigurimeve kërkohet ruajtje e likujditetit dhe treguesve financiarë në tregjet në mbikqyrje. “Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare është duke ndjekur me kujdes të veçantë të gjitha zhvillimet në tregjet nën mbikëqyrje, që lidhen me situatën e krijuar nga Covid-19. Në linjë me rekomandimet e Autoritetit Europian të Sigurimeve,(EIOPA), si edhe rregullatorëve të tjerë homologë, AMF u kërkon shoqërive të sigurimit, marrjen e masave dhe kujdes të shtuar me qëllim ruajtjen e likuiditetit dhe treguesit e tyre financiarë.
Në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe tregut të sigurimeve, Autoriteti u kërkon shoqërive të sigurimit pezullimin e çdo procedure për shpërndarje dividendi, pezullimin e paradhënieve për aksionerët e shoqërive, si edhe një qasje të kujdesshme në lidhje me shpërblimet e stafit, duke i shtyrë ato në kohë. AMF mbetet e angazhuar për një mbikëqyrje efektive në funksion të mbrojtjes së personave të siguruar dhe ruajtjes së stabilitetit financiar” njoftoi AMF./Burimi: Monitor.al