Secondary Adv

Detajet e tjera te Fondit te Garancise: Nga kushtet, tek interesi dhe kohezgjatja

Qeveria ka miratuar linjën e garacisë prej 11 mld lekësh, ku përmes 12 bankave do mbështesë bizneset e mëdha për të përballuar problematikat e krijuara nga COVID-19.

 

Synimi është zgjidhja e problematikës së pagave të punonjësve gjatë peridhës së izolimit. Ndryshe nga sa ka ndodhur me bizneset e vogla, me të qarkullim vjetor deri në 14 milion lekë, që përfitojnë atë që është emërtuar “Paga e Luftës” në masën 26 mijë lekë, për bizneset e mëdha është skema e dhënies së kredive me interesa të ulëta.

 

Por çfarë parashikon vendimi?

-Vlera e Huasë e vendosur në dispozicion nga Huadhënësi për Huamarrësin mund të variojë në përputhje me kërkesën e paraqitur nga Huamarrësi, por duke mos tejkaluar në asnjë rast vlerën e 3 pagave mujore bruto të punonjësve të deklaruar. Në asnjë rast vlera mujore bruto e pagës për punonjës nuk do të jetë më e lartë së 150 000 lekë. 

-Huamarrësi është i detyruar t’i paraqesë Huadhënësit detajimin e fondit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore përkatësisht për secilën pagë që do të procesohet.

 

-Jetëgjatësia e Huasë do të jetë në diskrecion të Huamarrësit, por duke mos tejkaluar në asnjë rast jetëgjatësinë prej 2 vitesh.

-Huaja do të ketë një periudhë Grace (periudhë pa pagesë principali) prej 3 muaj.

Monedha e Huasë do të jetë në monedhën vendase (lekë).

 

Huadhënësi do të ofrojë Huanë me një normë interesi preferenciale, të barabartë me normën mesatare të interesit të tre ankandeve të fundit të bonove të thesarit 12 mujore plus një marzh prej 0.5%, por në asnjë rast norma e interesit nuk do të jetë më e lartë se 2.85%. Huadhënësi nuk do të aplikojë kosto administrative mbi Huanë. Në asnjë rast, tejkalimi i masës së garancisë nuk do të përbëjë detyrim për MFE-në.

 

Kur Huamarrësi nuk ka mundur të kryejë pagesën e detyrimeve në përputhje me kushtet dhe afatet e përcaktuara në Marrëveshjen e Huasë dhe kur Huadhënësi brenda një periudhë jo më pak se 120 ditë (nga dita e parë e mos pagesës së detyrimit nga Huamarrësi) ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e detyrimeve në përputhje me procedurat dhe praktikat e sektorit bankar, atehere Huadhënësi rezervon të drejtën për t’i dërguar MFE-së kërkesën me shkrim për pagesën e detyrimeve (“Kërkesa për Pagesë”) të Huave që i nënshtrohen kësaj Marrëveshjeje.

 

Kërkesa për Pagesë që Huadhënësi do t’i drejtojë MFE-së duhet të përmbajë:

Një përshkrim të detajuar të shumës që kërkohet, duke përcaktuar në mënyrë analitike principalin, interesat e akumuluara, penalitetet, si dhe çdo shpenzim tjetër të kryer në zbatim të Marreveshjes së Huasë dhe që është në ngarkim të Huamarrësit, pavarësisht faktit që garancia mbulon vetëm detyrimin e principalit të Huasë. Një përshkrim të gjithë procedurave të ndjekura nga Huadhënësi përgjatë periudhës 120 ditore për të rekuperuar detyrimet nga Huamarrësi nga momenti i gjenerimit të detyrimit deri në momentin e dërgimit të Kërkesës për Pagesë. 

 

Numrin e llogarisë bankare në të cilin do të kryhet pagesa nga MFE. MFE, pasi vëren se Kërkesa për Pagesë është në përputhje me Pikën 2 të këtij Neni dhe kushtet që bëjnë të nevojshme paraqitjen e një kërkese të tillë sipas përcaktimeve të Marrëveshjes së Huasë, autorizon transfertën e pagesës ose pagesave për Huadhënësin brenda 15 ditëve pune nga data e marrjes së kërkesës për pagesë. 

 

Nëse MFE e vlerëson të arsyeshme, përpara autorizimit për kryerjen e pagesës dhe brenda afateve të përcaktuara në Pikën 3 të këtij Nëni, mund të kërkojë informacion shtesë ose qartësime nga Huadhënësi. MFE nuk ka asnjë detyrim ndaj Kërkesave për Pagesë, të cilat mund të burojnë nga vjedhja, materializimi i risqeve operacionale të Huadhënësit, ose për cdo arsye tjetër që nuk është konsistente me këtë Marrëveshje./Burimi: SCAN


Më të lexuarat