Secondary Adv

Anulohen koncesionet e Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat: Rishikohet nje tjeter projekt

Koncesioni prej 256 milionë euro për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren është anuluar. 

 
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku deklaroi në një intervistë live për Report Tv me gazetaren Aida Tancica., se projekti i kësaj vepre infrastrukturore do të ndryshojë duke bërë të mundur që autostrada Adriatiko-Joniane, të fillojë nga Balldreni dhe jo thjesht nga Miloti deri në Bypassin e Fierit. Po ashtu është anuluar edhe koncesioni i Orikum-Dukat që kapte shifrën 51 milionë euro dhe të gjitha fondet e përcaktuara nga buxheti i shtetit për këto projekte do të kalojnë për të përballuar COVID-19.

 

"Që të dyja PPP nuk është se nuk do të nisin, janë anuluar le të themi, pra nuk do të vazhdojnë më këto projekte, për shkak të situatës së krijuar, duke i dhënë të gjithë hapësirën fiskale që ka qenë e planifikuar për keto dy projekte në dispozicion për to nevojave që kanë lindur për shkak të situatës nga COVID-19", theksoi ministrja. Por ndërkohë, projektet e fizibilitetit do të rishikohen nga e para, ashtu si korridori Adriatiko-jonian, i cili ministrja tha se është duke u bërë një studim për të mos filluar nga Balldreni por nga Miloti.

 

"Në rastin e autostradës të korridorit Adriatiko-jonian. Tashmë jemi duke studiuar faktin e ri që ndoshta duhet të nisim nga Balldreni dhe jo thjesht nga Miloti deri në Bypassin e Fierit, pra duke e bashkuar edhe me atë pjesë që nuk do të përmbushet dot përmes atij plani që ka qenë më parë , pra të koncesionit Milot-Balldren, duke krijuar një korridor më të gjatë por duke e rishikuar gjithë projektin dhe duke vendosur elementë të tillë të cilët nuk do t'i krijonin peshë financiare buxhetit të shtetit në vazhdimësi. 

 

Të gjitha këto janë duke u proceduar në ministri nga ekspertët për të gjetur një zgjidhje për situatën për të mos ngarkuar buxhetin e shtetit por edhe për të mos stopuar këto projekte të rëndësishme. Korridori Adriatiko-jonian është një nga kolonat mbajtëse të të gjithë strategjisë për zhvillimin e transportit tokësor dhe lidhjes me vendet e tjera të rajonit. Ky është rasti i një infrastrukture rrugore. Duke e rishikuar të gjithë projektin dhe duke vendosur element të tillë  të cilët nuk do ti krijonin peshë financiare për buxhetin e shtetit", tha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në një intervistë për Report Tv.

 

Ministrja tha se shyrtimi i 26 ofertave për parkun energjetik të Karavastasë do të fillojë në përfundim të muajit maj, kur situata të jetë stabilizuar. "Kjo ka qenë një kohë ku kemi punuar intensivisht për ta analizuar situatën dhe për të përpiluar disa skenarë për vazhdimësinë. Të gjitha stafet dhe ekspertët jo vetëm të rrugëve, të infrastrukturës sepse ne kemi projekte të rëndësishme siç është aeroporti i Vlorës, do ta përfshija edhe energjinë këtu, sepse kemi projekte si parku energjetik i Karavastasë me 220 mega prodhim që ishte edhe në fazën e fundit të mbylljes, më shumë se 26 kompani të huaja të një kapaciteti të lartë financiar ishin pjesëmarrëse. 

 

Për këtë arsye na u desh t'i pezullonim të gjitha këto projekte. Kemi bërë një analizë si për riskun edhe për zgjidhjen dhe disa nga projektet besoj që do të nisin shumë shpejtë të procesohen. Parku energjetik i Karavastasë, deri në përfundim të muajit maj kur situata të jetë stabilizuar, ne besojmë që do të jemi sërish në gjendje për të hequr pezullimin që i kemi vendosur afatit të vlerësimit të ofertave të këtij tenderi dhe nisjes së procedimit për të vazhduar pasi nuk ka arsye që një park energjetik të bllokohet kur kemi më shumë se kurrë për energji të rinvoueshme të prodhuar në republikën e Shqipërisë", tha ministrja./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat