Secondary Adv

Publikohet udhezimi per te dypunesuarit: Nga 2021 rritet tatimi mbi te ardhurat

Të gjithë të dypunësuarit do të duhet të deklarojnë të ardhurat e përfituara në vitin 2020 deri në 30 prill 2021, pavarësisht nivelit të të ardhurave.

 

Deklarimin, deri tani e bënin të dypunësuarit me të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë, por nga viti i ardhshëm këtë do të duhet ta bëjnë dhe ata që nuk e kalojnë kufirin e 2 milionë lekëve, sipas ndryshimit të ligjit të tatimit mbi të ardhurat, që ka hyrë në fuqi në janar. Kjo do të sjellë automatikisht rritje të tatimit të të ardhurave për këtë kategori, pasi do të përjashtohen vetëm njëherë nga TAP zero deri në kufirin e 30 mijë lekëve dhe nëse të ardhurat e tyre i kalojnë 150 mijë lekë në muaj, do tatohen për diferencën me 23%. Kjo do të bëjë që individi i dypunësuar të paguajë minimumi edhe 13% të shumës prej 30 mijë lekësh (në muaj), ose 48,600 lekë në vit, apo rreth 400 euro më shumë, që duhet ta derdhë për llogari të tatimeve deri në prill 2021.

 

Tatimet kanë bërë të ditur më herët se janë rreth 35 mijë të dypunësuar në vend. Ministria e Financave ka publikuar udhëzimin për disa ndryshime në ligjin për tatimin mbi të ardhurat. Sipas tij, individët rezidentë ose jorezidenë të cilët janë të punësuar në më shumë se një punëdhënës deklarojnë në deklaratën e tyre vjetore të të ardhurave, në një shumë të vetme, të gjitha të ardhurat e siguruara nga punësimi, llogarisin shumën totale të detyrimit tatimor mbi pagat, zbresin, kur është rasti, tatimin e mbajtur nga punëdhënësi dhe përcaktojnë shumën e detyrimit tatimor që duhet të paguajnë për buxhetin e shtetit.

 

Ky parashikim zbatohet për individët të cilët kanë përfituar të ardhura nga punësimi nga më shumë se një punëdhënës duke filluar nga 1 janari 2020. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve asiston në çdo rast për përllogaritjen e tatimit për individët që realizojnë të ardhura nga punësimi në më shumë se një punëdhënës dhe me qëllim asistencën e tatimpaguesve, publikon në websit-in e saj një tabelë në format Excel-i që shërben si shembull llogaritje për çdo situatë. Udhëzimi jep dhe një shembull:

 

Shembull

Supozojmë se individi “X” është i dypunësuar në dy subjekte, për të njëjtën periudhë tatimore (viti fiskal 2020).

-Paga bruto mujore e individit, nga puna në subjektin “A”, është 60.000 lekë

-Paga bruto mujore e individit, nga puna në subjektin “B”, është 30.000 lekë.

 

Subjekti “A”, për të ardhurat nga paga në vlerën prej 60.000 lekë që i paguan si pagë bruto punëmarrësit, mban tatim në burim për të ardhurat nga paga në vlerën 3.900 lekë në muaj (60.000 -30.000) *13% ose 46.800 lekë në vit (12*3.900 lekë). Ndërkohë që subjekti “B”, për të ardhurat nga paga në vlerën prej 30.000 (tridhjetë mijë) lekë që i paguan si pagë bruto punëmarrësit, i llogarit punëmarrësit 0 lekë për tatim mbi të ardhurat nga paga, meqenëse paga bruto prej 30.000 lekë është në kufirin përjashtues sipas përcaktimeve të ligjit.

 

Ky individ i dypunësuar duhet që, brenda datës 30 prill 2021, të plotësojë deklaratën vjetore të të ardhurave në të cilën të ardhurat mujore nga paga, do të llogariten si total i të ardhurave nga paga nga të gjitha burimet e punësimit të individit. Referuar shembullit që kemi supozuar, të ardhurat nga paga bruto mujore e individit, janë në total 90.000 lekë, dhe tatimi mbi të ardhurat nga paga llogaritet të jetë 7.800 lekë në muaj (90.000 -30.000 )*13% ose 93.600 lekë në vit (12*7.800 lekë), ndërkohë që tatimi mbi të ardhurat nga paga që ky individ ka paguar për një vit është 46.800 lekë. Në këtë moment individit i lind detyrimi për pagimin e pjesës tjetër të tatimit mbi të ardhurat personale nga paga, I cili është 46.800 lekë (93.600-46.800) për periudhën tatimore të deklaratës.”/Burimi: Monitor.al


Më të lexuarat