Secondary Adv

Ndryshon vendimi per qirate: Shtyhen edhe per bizneset qe nuk jane mbyllur

Qeveria ka miratuar një ndryshim në aktin normativ në lidhje me qiratë, ku këtë herë do shtyhet me dy muaj edhe për bizneset e vogla që kanë pasur të hapur aktivitetin e tyre.

 

Kjo qira për dy muaj do të shtyhet për t'u paguar me këste apo në mënyrë proporcionale dhe të dakordësuar me qiradhënësin, pas muajit maj 2020. Për ato kontrata që përfundojnë përpara afatit 31 maj 2020, detyrimi i prapambetur do të paguhet nga qiramarrësi brenda tre muajve pas datës 31 maj 2020. “Të gjithë qiramarrësit, persona fizikë/juridikë, me të ardhura deri në 14 000 000 lekë në vit, të cilët kanë kontratë noteriale qiraje për zhvillimin e aktivitetit të tyre ekonomik, të nënshkruar përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë, pavarësisht nëse e kanë të lejuar apo të ndaluar aktivitetin si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga COVID–19, nuk do ta paguajnë detyrimin e qirasë për dy muaj, prill dhe maj 2020", shkruhet në aktin normativ të ndryshuar.

 

Në Aktin Normativ të parë, të pa ndryshuar, shkruhej se "Të gjithë qiramarrësit persona fizikë/juridikë me të ardhura deri në 14 000 000 (katërmbëdhjetë milionë) lekë në vit, të cilët kanë kontratë noteriale qiraje për zhvillimin e aktivitetit të tyre ekonomik, të nënshkruar përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë, dhe e kanë ndaluar aktivitetin si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga COVID–19, nuk do ta paguajnë detyrimin e qirasë për dy muaj, prill dhe maj 2020."

 

Të gjithë qiramarrësit e përcaktuar në këtë pikë, të cilët kanë ankesë për qiradhënësin si pasojë e moszbatimit të detyrimeve të mësipërme, do t’i drejtohen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve nëpërmjet komunikimit elektronik. Qiradhënësit, të cilët nuk e zbatojnë këtë pikë, dënohen me gjobë në masën e pesëfishit të qirasë mujore përkatëse. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për ndjekjen dhe zbatimin e parashikimeve të kësaj pike dhe nxjerrjen e udhëzimeve përkatëse./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat