Secondary Adv

19 raste te reja brenda 24 oreve: Shkon ne 494 numri i te prekurve me COVID-19

Ka shkuar në 494 numri i personave të prekur nga koronavirus në vendin tonë.

 

Vetëm përgjatë 24 orëve të fundit janë identifikuar 19 raste të reja me COVID-19. Nderkohe, zevendesministrja e Shendetesise, Mira Rakacolli beri me dije se nje 90 vjecar ka nderruar jete mengjesin e sotem, duke e cuar ne 25 numrin e viktimave. 

 

NJOFTIMI I MSH

Në vijim të informimit të përditshëm ju bëjmë me dije për situatën e 24 orëve të fundit në Shqipëri lidhur me COVID-19. Dje janë testuar 252 persona të dyshuar, mes tyre 44 janë personel shëndetësor. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 19 raste pozitive me COVID-19, prej të cilëve 11 raste në Tiranë, 1 rast në Krujë, 1 rast në Korçë, 1 rast në Elbasan, 5 raste në Kukës mes tyre 1 personel shëndetësor. Deri në këto momente janë testuar 4558 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 494 raste. 

 

Siç shihet nga grafiku, edhe pse sot janë 19 raste të reja, pavarsisht luhatjeve ditore, kurba mbetet e qendrueshme dhe situata është krejtësisht e kontrolluar. Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 90-vjeç nga Fieri, i intubuar prej 11 ditësh i cili vuante nga diabeti, astma bronkiale dhe hipertensioni. Pavarësisht perpjekjeve te stafeve mjekesore, 25 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë semundje. Gjatë 24 orëve të fundit, 3 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 251.   

 

Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 39 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 4 prej tyre janë të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 48 pacientë. Pavarësisht rritjes me 19 raste të reja në 24 orët e fundit, kemi një numër të qendrueshëm të rasteve në spital. Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Kukës, Krujë, Elbasan dhe Korçë. 

 

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë 237 raste

– Durrës 42 raste

– Lushnje 6 raste

– Elbasan 16 raste

– Fier 32 raste

– Kavajë 8 raste

 

– Rrogozhinë 4 raste

– Korçë 18 raste

– Vlorë 5 raste

– Shkodër 71 raste

– Lezhë 14 raste

– Berat 2 rast

 

– Has 13 raste

– Krujë 7 raste

-Tropojë 4 raste

– Pukë 5 raste

– Mirditë 3 raste

– Kukës 6 rast

 

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Në këto momente kërkohet përgjegjshmëri nga ana e qytetarëve për të respektuar distancën e nevojshme mes njëri tjetrit dhe ruajtjen e higjienës personale. Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40./Burimi: Balkanweb


Më të lexuarat