24 raste te reja me COVID ne 24 ore: 518 numri total i te prekurve ne vendin tone
24 raste të reja janë konfirmuar në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin në total të të prekurve në 518.
Këtë deklaroi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në seancën plenare. “Nesër bëjmë 40 ditë që po përballemi me Covid 19, vendimet e marra në kohën e duhur nga qeveria shmangën atë që quhet krizë apo kolaps. Në këtë luftë shembull i përsosur kanë qënë shumica e qytetarëve duke u mbrojtur e duke mos i lënë kohë të na infektonte, ndërsa heronjtë tane janë mjekët, infermierët, epidemiologët, punonjësit e urgjencës kombëtare, i shpreh mirënjohjen. Sot Shqipëria konfirmon 518 të prekur nga COVID-19, ose 10,7% raste të testuara pozitive në 4830 mije testimet e kryera, një raport ky i pranuar nga OBSH për testimin, gjurmimin dhe izolimin e rasteve të dyshuara”, deklaroi ministrja.
Mbi 800 testime janë kryer në personelin mjekësor, ku më se 9 për qind e personelit kanë rezultuar pozitivë, dhe mbi gjysma e tyre janë të shëruar, shtoi ajo. “Në dy spitalet Covid aktualisht vetëm 14% i kapacitetit është i zënë, por perballemi ende me raste të renda të prekura nga ky virus. 12 pacientë janë në terapi intensive dhe katër prej tyre në frymemarrje të drejtuar”. Deri më tani mbi 250 pacientë të prekur janë shëruar, ndërsa 25 persona kanë humbur jetën./Burimi: Monitor.al