
Si po e perballojne shqiptaret pandemine: Ja cfare ndodh me 35 per qind te popullsise
Ende pa u shfaqur pandemia e koronavirusit, shqiptarët përballeshin me kushte të pafavorshme ekonomike, që tani po përkeqësohen.
Mbi 35% e qytetarëve jetojnë me më pak se 550 lekë në ditë, por me realitetin e ri rrezikojnë varfëri më të thellë. 24% e familjeve shqiptare kanë të paktën një borxh për të paguar dhe shumë po konsiderojnë të marrin borxhe të reja. Në këto kushte, kur qeveria konfirmon humbjet në ekonomi dhe rritjen e papunësisë, ekspertët sugjerojnë që paketat e ndihmës të mos përjashtojnë asnjë shtresë.
Raporti i Bankës Botërore
Por, Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk ka një vlerë të miratuar nga qeveria të minimumit jetik të varfërisë. Vlera zyrtare e minimumit jetik, ka 15 vjet pa u përditësuar thuhet në një reagim të Avokatit të Popullit. Të dhënat e fundit mbi minimuin jetik, u raportuan nga institucioni i Avokatit të Popullit në një raport në vitin 2016. “Minimumi jetik është përllogaritur mbi bazën e shportës ushqimore. Në vitin 2015 rezultoi se minimumi jetik për frymë të ishte përafërsisht 16,000 lekë në muaj (7,089 lekë në muaj për shpenzimet ushqimore dhe 8,913 lekë në muaj për shpenzimet jo ushqimore),” thuhej në raportin e Avokatit të Popullit.
Nga një përllogaritje e thjeshtë, një person për të siguruar minimumin jetik duhet të ketë në dispozicion 530 lekë të reja në ditë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, 35,5 për qind e shqiptarëve jetojnë nën këtë kosto. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, INSTAT papunësia në vend në vitin 2019 arriti në nivelin 11,5 për qind.
Të dhëna nga INSTAT
Një tjetër problematikë që has shoqëria shqiptare është “rreziku për të qenë i varfër”. Sipas të dhënave të INSTAT, rreziku për të qenë i varfër në Shqipëri është 23,4, duke u renditur në “top 3” vendet më të rrezikuara. Tendenca e përkeqësimit të ekonomisë së shqiptarve nga përballja me pandmeinë “Covid-19”, konfirmohet edhe nga raporti i fundit i Bankës Qendrore. “Rreth 24% e familjeve shqiptare kanë të paktën një borxh për të paguar”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Rreth 40% e të përgjigjurve nga anketa e Bankës së Shqipërisë deklarojnë se mund të marrë/rimarrë një hua të re në gjashtëmujorin e ardhshëm dhe kjo peshë është rritur krahasuar me dy vrojtimet e kaluara.
Të dhëna nga Banka e Shqipërisë
Banka e Shqipërisë jep edhe një vlerësim të përgjithshëm të situatës së krijuar si pasojë e pandemisë “Covid-19”. “Kjo situatë do të ndikojë edhe mbi punëmarrësit dhe në tërësi mbi të ardhurat e familjeve, pasi rënia e aktivitetit të ndërmarrjeve mund të sjellë reduktim të të ardhurave apo ndërprerje të pagës. Në një efekt zinxhir dhe për aq sa nuk kompensohet nga kursimet e familjeve dhe masat shtetërore mbrojtëse, kjo edhe më tej mund të ndikojë në dobësimin e konsumit të tyre dhe në vijim, edhe në vështirësi për të përmbushur detyrimet financiare,” thuhet në raportin e BSH./Burimi: Balkanweb
Më të lexuarat








