Secondary Adv

Nenshkruhet marrveshja me BB, 66 milione euro per sigurine rrugore

 

Qeveria shqiptare dhe Banka Botërore nënshkruan ditën e djeshme një marrëveshje financiare me vlerë 65.9 milionë euro për financimin e projektit të mirëmbajtjes dhe sigurisë rrugore në vendin tonë. Kjo hua është pjesë e një projekti që bashkëfinancohet edhe nga qeveria shqiptare me një vlerë prej 41.2 milionë euro.


Ministri i Financave, Shkëlqim Cani dhe përfaqësuesja e Bankës Botërore në Tirane, Tahseen Sayed, nënshkruan marrëveshjen e huasë. Ministri Cani e konsiedroi si mjaft të favorshme marrëveshjen e arritur sa i përket termave financiare, ndërsa vlerësoi mbështetjen që Banka Botërore i ka dhënë qeverisë shqiptare për zhvillimin e infrastrukturës në veçanti.


Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, theksoi se kjo hua do të shkojë për mirëmbajtjen e 1400 km rrugë, me qëllim përmirësimin e jetës dhe uljen e numrit të aksidenteve.
“Bëhet fjalë për një projekt shumë të rëndësishëm për mirëmbajtjen e rrugëve parësore që ka vendi. Janë rreth 1400 km rrugë që do të mirëmbahen me një standard të ri.


Është shumë e rëndësishme të kuptohet se çdo qindarkë e hedhur për mirëmbajtjen e rrugëve tona, jo vetëm që ofron më shumë siguri, por gjithashtu e vendos një aset që ka vendi në një gjendje qëndrueshmërie”, tha Haxhinasto.Përfaqësuesja e Bankës Botërore, Tahseen Sayed, u shpreh se është me rëndësi që të punohet në drejtim të uljes së numrit të vdekjeve në aksidente, që sipas statistikave, momentalisht në vendin tonë është sa dyfishi i vendeve të rajonit.
Projekti do të zbatohet nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe parashikohet të përfundojë më 31 dhjetor 2021.


Më të lexuarat