22 raste te reja me COVID-19: Shkon ne 584 numri i te prekurve ne Shqiperi
22 raste të reja me COVI-19 janë identifikuar gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në total në 584 numrin e të prekurve.
Aktualisht në vendin tonë janë 231 persona të infektuar aktivë. Nga rastet e reja 3 janë në Shkodër, 2 raste në Tiranë. Ndërkohë vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve në vatrën e Krujës ku kanë rezultuar pozitivë 5 persona dhe në Kurbin ku kemi 12 raste të reja. Report Tv mëson se të prekurit nga Kruja dhe Kurbini janë punonjës të biznesit fason, fabrikë këpucësh që ka shpërthyer si vatër me dhjetra të prekur. Gjatë 24 orëve të fundit, 13 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 327.
Përqindja e të shëruarve është më e lartë krahasuar me të infektuarit aktivë dhe kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave. Në shërbimin infektiv aktualisht janë 35 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar, prej të cilëve 5 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 44 pacientë. Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë semundje megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive:
- Tiranë 253 raste
- Durrës 42 raste
- Lushnje 6 raste
- Elbasan 16 raste
- Fier 36 raste
- Kavajë 9 raste
- Rrogozhinë 4 raste
- Korçë 19 raste
- Vlorë 5 raste
- Shkodër 99 raste
- Lezhë 14 raste
- Berat 2 raste
- Has 13 raste
- Krujë 23 raste
-Tropojë 4 raste
- Pukë 5 raste
- Mirditë 3 raste
- Kukës 11 rast
-Mallakastër 1 raste
- Kurbin 19 raste
"Pavarësisht luhatjesve në numrat ditorë të zbulimit të bartësve të virusit apo të sëmurëve prej tij, situata është njëlloj e kontrolluar. Treguesi i vërtetë është numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifra të qëndrueshme. Në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë e kontrolluar, është e rëndësishme që qytetarët të respektojnë masat e distancimit fizik, si e vetmja mënyrë e kufizimit të përhapjes së infeksionit. Këto masa duhet të respektohen makimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40", tha Eugena Tomini nga ISHP.