Secondary Adv

Lejet e ndertimit ne toka bujqesore, ja kriteret e reja

 

Rregulla të reja për lejet e ndërtimit në tokat bujqësore. AKPT-ja miraton në parim dhënien e lejes së ndërtimit dhe i propozon Ministrisë së Bujqësisë të vijojë procedurat për kalimin në sipërfaqe ndërtimore të tokës bujqësore, objekt i lejes së ndërtimit.


Sipas vendimit të qeverisë të datës 1 prill 2015, këto leje lëshohen nga njësia e qeverisjes vendore në përputhje me planin rregullues, por, në kushtet e mungesës së planit të përgjithshëm vendor, drita jeshile do të hapet pas kontrollit të përputhshmërisë së projekt-propozimit nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT), e cila, në bashkërendim me Ministrinë e Bujqësisë, kryen verifikimin.


AKPT-ja njofton njësinë e qeverisjes vendore dhe aplikantin për vazhdimin e mëtejshëm të procedurave. Ndërkohë, njësia e qeverisjes vendore kryen verifikimin në terren. Këtu nis faza tjetër e aplikimit që kryhet në Këshillin e Ministrave. AKPT-ja miraton në parim dhënien e lejes së ndërtimit dhe i propozon Ministrisë së Bujqësisë të vijojë procedurat për kalimin në sipërfaqe ndërtimore të tokës bujqësore, objekt i lejes së ndërtimit.


Tipat e objekteve bujqësore që mund të marrin leje
Projektvendimi i hartuar nga ministria paraqitet për miratim në Këshillin e Ministrave. Pas miratimit të kalimit të tokës bujqësore në sipërfaqe ndërtimore, AKPT-ja i dorëzon kërkuesit dokumentin e lejes dhe e boton në regjistrin e integruar të planifikimit të territorit. Ndërkaq, vendimi klasifikon tipat e objekteve bujqësore që mund të marrin leje. Objekte për prodhimin, ruajtjen dhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, që ndërtohen në tokë bujqësore, janë:
1.    Stallat për mbarështimin e kafshëve dhe objektet ndihmëse funksionale, të cilat përfshijnë depo silazhi, hangar, silos, ambiente për përpunimin e ushqimeve, sallë mjeljeje, padoqe, plehërishte, depozita uji.
2.    Serrat me themele të vazhduara, të cilat janë të lidhura në mënyrë të qëndrueshme dhe të përhershme me tokën.
3.    Objektet ndihmëse funksionale të serrave, të cilat përfshijnë magazina për standardizimin e prodhimit dhe mbajtjen e pajisjeve, inputeve.
4.    Objektet për tharjen dhe trajtimin paraprak të nevojshëm të produkteve në kultura, të tilla si bimët medicinale etj.
5.    Objektet për grumbullimin dhe ruajtjen e produkteve bujqësore e blegtorale, përfshirë dhe ato frigoriferike.
6.    Objekte për përpunimin e produkteve primare, bujqësore dhe blegtorale, thertoret.


Sipas vendimit, për të gjitha objektet për qëllime bujqësore duhet të respektohen distancat nga rrugët, hekurudhat, aeroportet, linjat e tensionit të lartë dhe distancat nga kanalet ujitëse e kulluese, si dhe brigjet e lumenjve. Lejet e ndërtimit për këto objekte jepen vetëm pasi të jetë verifikuar ekzistenca e infrastrukturave të nevojshme, për sa u përket rrugëve lidhëse, elektricitetit dhe ujit të pijshëm ose marrjes përsipër të realizimit të tyre nga investitori njëkohësisht me ndërtimin e objekteve bujqësore.
Leja e ndërtimit jepet vetëm me kushtin e ruajtjes dhe mosndryshimit të destinacionit për qëllim bujqësor ose blegtoral të objektit për të cilin është lëshuar. Qeveria përcakton që objektet bujqësore të zhvillohen në një kat të vetëm dhe të respektojnë lartësinë maksimale 4,50 metër, me përjashtim të oxhakëve, apo siloseve.


Një kufizim tjetër është respektimi i distancës minimale pesë metër nga kufijtë e pronës. Për stallat me mbi 50 njësi gjedhi, vendimi kërkon që të ndërtohen 500 m larg qendrave të banuara ose 100 m larg një shtëpie të vetmuar. Më e vogël është kjo distancë për strukturat e grumbullimit të jashtëqitjeve shtazore dhe serrat.


Ndërsa, sipërfaqja e serrave me themele të vazhduara, të cilat janë të lidhura në mënyrë të qëndrueshme dhe të përhershme me tokën, nuk duhet të tejkalojë 70% të pronës. Për serrat e tipave të tjera, të cilat nuk janë të lidhura në mënyrë të përhershme me tokën, nuk kërkohet pajisja me një leje ndërtimi dhe ato janë objekt i një deklarate paraprake për kryerje punimesh./Gazeta Shqip


Më të lexuarat