
Del lista e zonave te gjelberta: Rregullat ne qytetet ku lehtesohen masat nga e hena
Nga e hëna në qarqet Dibër e Gjirokastër dhe bashkitë Pogradec, Prrenjas, Librazhd, Sarandë, Himarë, Konispol, Finiq dhe Divjakë do hyjnë në fuqi masat e reja lehtësuese.
Por si do të bëhet lëvizja? Brenda Dibrës dhe Gjirokastrës lejohet lëvizja e qytetarëve, por jo jashtë qarkut. Ndërkohë bashkitë Pogradec, Prrenjas dhe Librazhd që janë kufitare dhe nuk kanë asnjë të prekur trajtohen si zonë e përbashkët dhe mes tyre lejohet lëvizja e qytetarëve. Po ashtu edhe Sarandë, Himarë, Konispol dhe Finiqi e njëjta gjë, por pa kaluar Llogoranë. Ndërkohë që Divjaka trajtohet si zonë e vetme dhe qytetarët nuk lejohet që të lëvizin jashtë territorit të bashkisë. Ndalohet rreptësisht hyrje-dalja në perimetrin e këtyre zonave. Për shembull në Librazhd nuk lejohen hyrjet nga Elbasani, por as daljet në drejtim të këtij qyteti.
Pensionistët në këto bashki ku do të ketë lehtësime do të lëvizin lirisht në këmbë, deri në orën 08:30 dhe deri në këtë orë asnjë këmbësor tjetër përveç atyre që kanë autorizim për punë nuk lejohet që të dalë nga shtëpia. Nga ora 9:30 deri në 17:30 të gjithë të tjerët mund të dalin nga shtëpia, pra kur pensionistët janë kthyer brenda. Në zonat e gjelbërta automjetet private do të lëvizin pa autorizim nga ora 09:30 deri në orën 17:30, por me rregullin e vetëm 2 personave në makinë, nga i cili përjashtohen kategorikisht pensionistët! Ndalohet lëvizja në këmbë e më shumë se dy personave. Gjithashtu në këto bashki ndalohet rreptësisht qëndrimi në një vend i më shumë se dy personave dhe nuk lejohet frekuentimi i parqeve publike në 14 ditët e ardhshme.
Kryeministri Edi Rama pati një bashkëbisedim pasditen e sotme online me kryebashkiakët e këtyre bashkive ku i njohu me vendimin dhe u kërkoi që të monitorojnë gjendjen. "Të merrni masat personalisht në krye të kësaj pune të ndiqni nga afër gjithë zhvillimin e kësaj hapjeje pas një periudhe jo të vogël. Para se ti jap fjalën ministres së Shëndetësisë. Ju them se së pari do të ketë një fashë të veçantë për pensionistët cdo mëngjes, që deri në orën 08:30 do të kenë liri lëvizje për të ecur për të marrë ajër, për të bërë ndonjë pazar të tyrin dhe në këtë fashë nuk do të ketë këmbësor të tjerë, përjashto ata që kanë autorizim për të shkuar në punë.
Do ketë një orë pushimi dhe në 09:30 deri në 17:30, të tjerët mund të dalin, apo të lëviznin me makinë pa pasur nevojë për autorizim, por me kushtin, jo më shumë se dy persona në ecje dhe në asnjë mënyrë makinat jashtë zonës. Që do të thotë mund të lëvizin brenda qarkut të Dibrës, brenda qarkut të Gjirokastrës, në perimetrin Sarandë, Himarë, Konispol, Finiq. Ose në Pogradec, Prrenjas, Librazhd, por nuk mund të hyjnë apo të dalin nga Elbasani. Kush kapet në thyerje që thotë se nga Tirana po iki në Pogradec do të penalizohet. Duhet të mbyllni parqet, mos të lejohet frekuentimi, apo që të bëjnë xhiro pa limit.
Kjo javë që vjen deri në mesin e javës tjetër do të na ndihmojë për të kuptuar si ecën dinamika. Pas orës 17:30 është sikur ka qenë dhe lejohen vetëm ata që kanë qenë me turne. Dy elementë janë shumë të rëndësishëm, domosdoshmëria për të monitoruar jo vetëm policia, por edhe ju me kryepleqtë, lokalet që mund të tundojnë pronarët që të hapin qepenat, është katastrofë. Jo vizita në shtëpi. Ai që ka prindërit vetëm duhet ti ruajë, ti cojë ushqimet te dera, jo ti përqafojë. Maji është muaji vendimtar, por duhet të jetë muaj pune të madhe' tha Rama.
Rregullat e qeverisë në qytetet që do të lehtësohet lëvizja nga hëna
Zonat e gjelbërta ku nga e hëna 27 prill do të ketë një lehtësim të posaçëm të lëvizjes, por me rregulla strikt për lëvizjen:
• Qarku Dibër
• Qarku Gjirokastër
• Zona e Përbashkët e bashkive Pogradec, Prrenjas, Librazhd
• Zona e Përbashkët e bashkive Sarandë, Himarë, Konispol, Finiq
• Bashkia Divjakë
Në zonat e gjelbërta automjetet private do të lëvizin pa autorizim nga ora 09.30 deri në orën 17.30, por me rregullin e vetëm 2 personave në makinë, nga i cili përjashtohen kategorikisht pensionistët!
Ndalohet rreptësisht hyrje-dalja në perimetrin e këtyre zonave
Pensionistët do të lëvizin lirisht në këmbë, deri në orën 08.30 dhe deri në këtë orë asnjë këmbësor tjetër përveç atyre që kanë autorizim për punë, ndalohet të dalë nga shtëpia
Nga ora 9.30 deri në 17.30 të gjithë të tjerët mund të dalin nga shtëpia.
Kujdes! Ndalohet lëvizja në këmbë e më shumë se dy personave
Ndalohet rreptësisht qëndrimi në një vend i më shumë se dy personave dhe nuk lejohet frekuentimi i parqeve publike në 14 ditët e ardhshme./Burimi: Shqiptarja.com
Më të lexuarat








