
Kriza e Covid prek eksportuesit e medhenj: Si do te jete ndikimi deri ne 2021
Eksportuesit më të mëdhenj në vend parashikojnë se ekonomia nuk do të mund të ringrihet në 8 muajt e mbetur të vitit, për shkak të krizës nga pandemia globale.
Kompania “Kurum” aktualisht po eksporton 30% të prodhimit krahasuar me kohë normale. Situata paraqitet e vështirë edhe për sektorin e çimentos, ku prodhimi dhe tregtimi është 50% më pak krahasuar me muajt mars-prill 2019. Edhe prodhuesin e këpucëve “Albaco Shoes”, rënia e eksporteve është e lartë. Eksportuesi më i madh i peshkut “Coral” pohon se aktualisht nuk ka asnjë porosi të re përpunimi. Më shumë se një muaj nga bllokimi i ashpër që qeveria i bëri aktivitetit ekonomik dhe social të vendit, për shkak të COVID-19, perspektiva e kthimit në normalitet mbetet e zymtë.
Kompanitë e mëdha eksportuese, disa prej të cilave janë në të njëjtën kohë dhe punëdhënësit kryesorë në Shqipëri, janë në një situatë të rënduar ekonomike, për shkak të të gjithë zinxhirit, ofertues, prodhues, magazinues dhe shitës që lidhet me aktivitetin e tyre. Situata nuk duket premtuese, të paktën deri në fund të këtij viti ose dhe më tej, siç vëren Arif Shkalla, Drejtor i Financës për kompaninë e njohur “Kurum”. Por jo vetëm “Kurum” e sheh rimëkëmbjen ekonomike shumë të vështirë.
“Bankers Petroleum”, “Antea Cement”, “Albaco Shoes”, “Donniana”, “Coral” dhe “Mare Adriatik” shprehen pesimiste për rimëkëmbjen e aktivitetit, sipas tyre pasojat do të ndihen 6 muaj deri në 1 vit pas përfundimit të gjendjes emergjente. E para për rëndësinë e eksporteve renditet kompania “Kurum”, me vlerë eksportesh 20.4 miliardë lekë. Kompania e naftës “Bankers Petroleum” është e dyta ndër eksportuesit më të mëdhenj në vend. Eksportet për 2018 ishin në vlerën e 16 miliardë lekëve.
Rënia e lartë e eksporteve, te sektori i hekurit dhe çimentos
Kompania e prodhimit, tregtimit të çeliqeve të ndërtimit dhe hekurit “Kurum” tashmë mund të eksportojë vetëm 30% të asaj që ka eksportuar më parë, ndërsa inventari i lëndës së parë ka pësuar zhvlerësim dhe çmimi i produktit final ka shënuar rënie. Kostoja e prodhimit është rritur me bilanc negativ, kompania nuk shikon përmirësim të shpejtë të situatës edhe pas kalimit të emergjencës, të paktën për vitin 2020. Sipas të dhënave, eksportet e kompanisë për vitin 2018 kishin vlerën 20.4 miliardë lekë. “Eksportet janë në nivelin më të ulët historik që prej 15 marsit, ku pati një rënie të menjëhershme për shkak bllokimit të rrugëve.
Kërkesa e eksporteve pësoi rënie totale, aktualisht jemi në 30% të shitjeve që duhet të kishim në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Duke qenë se në Maqedoni dhe Kosovë, kriza u ndie më vonë, rënia e eksporteve ishte më e ulët për shkak të kërkesave nga këto vende. Por nga 1 prilli, aktiviteti u bllokua, pasi nuk kishte më kërkesë. Rënia e kërkesës është pasojë e minimizimit të investimeve nga kriza. Në të tria vendet ku ne eksportojmë Maqedoni, Kosovë dhe Mali i Zi, në 3 javët e fundit kërkesa ka rënë në mënyrë drastike, çka ka ndikuar edhe te veprimtaria e kompanisë. Situata parashikohet e vështirë deri në fund të vitit, ndërsa për vitin 2021 pritet përmirësim”, shprehet Arif Shkalla.
Krejt i pasigurt shfaqet fati i industrisë së çimentos. “Antea Cement”, me 197 të punësuar dhe gjithashtu prodhues i konsiderueshëm i eksportit, reflekton atë klimë negative që gjithë kjo industri përjeton, nga India, prodhuesi dhe konsumuesi numër 2 në botë e deri në Itali, ku “Heidelberg Cement” ka mbyllur të paktën 3 fabrikat e saj në zemër të pandemisë të COVID-19, në Lombardi, Itali. Mbyllja e 1/3 të territorit amerikan, mbyllja e Anglisë, Francës, Spanjës dhe më gjerë ku kompanitë e çimentove realizojnë shumë volum pune, ka sjellë vështirësi praktike dhe reale të funksionimit të sektorit.
Përfaqësues të kompanisë “Antea Cement” deklaruan se prodhimi dhe tregtimi për muajin mars dhe prill ka qenë 50% më pak se në një periudhë normale të vitit. Kompania e ka të vështirë të parashikojë se sa mund të rezistojë aktiviteti në këto kushte, pasi reaksioni është zinxhir dhe në varësi të aktivitetit të ndërtimit të tregut të brendshëm dhe të jashtëm. “Mund të ndodhë që të jemi përpara një situate që nëse do të jetë e nevojshme në një moment të caktuar, do të ruajmë rezervat dhe do të ndalim prodhimin, por kjo do të jetë në varësi të ritmit të aktivitetit të ndërtimit”.
Industria e këpucëve, një muaj pa punë
Vështirësi në aktivitetin eksportues po ndien edhe kompania më e madhe e këpucëve “Albaco Shoes”. Sipas të dhënave, kompania për vitin 2018 eksportoi këpucë me vlerë 2.2 miliardë lekë. Shpresa Koçiraj, përfaqësuese e kompanisë “Albaco Shoes”, shprehet se pandemia ka ulur eksportet në krahasim me një periudhë normaliteti. “Për sa i përket ndikimit të eksporteve nga dy deri në tre kamionë që eksportonim në ditë në kohë normale, aktualisht po eksportojmë një kamion në dy ditë.”
Kompania “Doniana” ka ndalur punën që më 12 mars për shkak të ndërprerjes së porosive nga Italia dhe mungesës të urdhrave. Administratorja e kompanisë, zonja Donika Mici, që me përhapjen e virusit në Itali deklaroi se situata po jep pasoja negative edhe te kompania, për shkak të mbylljes së panaireve të modës në Milano, dyqaneve, mungesës së tregut të blerjes. Zonja Mici parashikon se ky 6-mujor do të jetë katastrofik për industrinë, për shkak të bllokimit të prodhimit dhe shitjeve./Burimi: Monitor
Më të lexuarat









