Secondary Adv

Rruga e Arbrit, publikohen detajet e projektit te kompanise kineze

 

Është zbardhur ditën e djeshme për herë të parë nga ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, propozimi i kompanisë kineze “China State Construction” për ndërtimin e 26.94 kilometrave në Rrugën e Arbërit dhe pritet të përfundojë brenda 3 vitesh.


Komisioni i Ekonomisë ka diskutuar propozimin e qeverisë për dhënien me konçesion të Rrugës së Arbrit me procedurë të veçantë. Opozita e ka kundërshtuar këtë kërkesë të maxhorancës me arsyetimin se mungon transparenca edhe pse ministrat sqaruan se gjithçka do të diskutohet në Kuvend. “Për këtë segment, kjo vlerë që unë thashë sot, 28.8 miliard është vlerë e projektit e llogaritur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ndërkohë që kompania kineze ka paraqitur një vlerë rreth 25 përqind më të ulët për realizimin e këtij segmenti, është rreth 21 miliard lekë. Është hera e parë që qeveria kineze ka rënë dakort të mos pranojë, ose të mos detyrojë vendin përfitues që të japë garanci sovrane”, deklaroi ministri i Transporteve.


Haxhinasto tha se ende nuk është vendosur përfundimisht sesi do të financohet rruga, nëse do të jetë me pagesë për qytetarët apo direkt nga buxheti. Sipas ministrit të Financave më shumë gjasa ka varianti i dytë. “Unë jam këtu pikërisht për këto dy gjëra, që të parashikoj brenda buxhetit të të gjithë viteve, nga 20-30 milionë euro në vit kosto që do të duhet të përballojë buxheti. Ne kemi bërë llogaritjet tona dhe gjykojmë që janë të përfshira brenda tavaneve të borxhit dhe brenda tavaneve të buxhetit”, tha ministri Cani.


Rruga e Arbërit ka një gjatësi totale prej 65 kilometrash dhe përbëhet nga katër segmente me kosto totale prej 36 miliardë lekë përafërsisht. Pjesa prej 26.94 kilometra nga Tujani tek Ura e Vashës, që do të ndërtojë kompania kineze është ajo me koston më të lartë. Për opozitën ky është rezultat i procedurës së dyshimtë që po ndjek qeveria.


“Ç’e bën më të rrezikshme këtë procedurë? Së pari ajo që është duke ndodhur; përshpejtimi i kostove të ndërtimit të këtij segmenti rrugor të gjatë prej 26 kilometrash që ndërtohet me 10 mln dollarë kilometri, që nuk do t’i nënshtrohet procedurave të konkurrimit publik, tenderit, konkurrencës së kompanive për të ulur koston”, deklaroi anëtari demokrat i Komisionit të Ekonomisë, deputeti Ridvan Bode.
Segmenti Tujan-Ura e Vashës ka një gjatësi totale prej 26.94 kilometra. Ndërtimi i tij do të bëhet me një procedurë të vecantë, jashtë ligjit të koncesioneve. Investimi do të financohet nga një kredi e Bankës Kineze të Eksporteve dhe do të paguhet më vonë në këste vjetore nga buxheti. Komisioni i Ekonomisë miratoi gjithashtu edhe projektligjin për shtyrjen e afatit të përdorimit të bonove të thesarit deri në fund të 2016.


Kontrata
Irena Beqiraj, zv/ministre e Financave, tha se kjo rrugë do t’i japë një zhvillim ekonomik gjithë zonës së veriut, duke lidhur Tiranën me Dibrën dhe duke afruar Durrësin me Shkupin. Në këtë mënyrë shkurtohen destinacionet dhe krijohet mundësi punësimi, nëpërmjet nxitjes së bizneseve të reja.
“Kjo kontratë koncesionare lidhet me një nga kompanitë shtetërore ndërtimore kineze, e cila do ta financojë tërësisht 3 vitet e para ndërtimin e rrugës, dhe i vetmi ndikim që do të ketë në buxhet është se qeveria shqiptare pas ndërtimit, pas 3 viteve ndoshta do të vendosë një fond garancie që mendohet nga llogaritjet tona, aty te 26 milionë lekë në buxhet, nëse këto nuk mblidhen nga kompania, nga përdorimi i rrugës”, tha ajo.
Beqiraj shtoi se, kemi të bëjmë me një segment shumë interesant, sepse fillon me lidhjen e Dajtit deri në Dibër, pra lidh Tiranën me Dibrën.“Mendohet se do të jetë një rrugë, e cila do t’ijapë zhvillim ekonomik zonës së veriut të Shqipërisë dhe gjithë qeveria është shumë entuziaste për fillimin e Rrugës së Arbrit”, e mbylli Beqiraj.


Kompania kineze
Deputeti socialist i zonës së Dibrës, Ulsi Manja, kujtoi se ndërtimi i Rrugës së Arbrit ka qenë një nga premtimet elektorale të mazhorancës dhe do t’i shërbejë komunitetit të Dibrës, Matit e Bulqizës. Sipas Manjës, kompania kineze “China State Construction Company”, që ka marrë përsipër ndërtimin e rrugës, klasifikohet si një ndër 3 kompanitë më të mira në botë në fushën e ndërtimit. “Ndërtimi i kësaj rruge ka qenë një nga premtimet elektorale të Qeverisë, ndërtim i një rruge të shumëpritur për një komunitet, siç është komuniteti i Dibrës.
Por kjo rrugë nuk do të lidhë vetëm 3 zonat urbane të qarkut të Dibrës, por do të bëjë të mundur më në fund integrimin e qarkut të Dibrës me Tiranën dhe, pse jo, edhe me Portin e Durrësit”, tha deputeti. Manja foli edhe për kompaninë kineze.“Kompania që ofrohet për ndërtimin e kësaj rruge, është një kompani ndërtimi, e cila renditet ndër 3 kompanitë më të mëdha në botë dhe e para në sektorin e ndërtimit sipas klasifikimit të bërë nga revista “The Economist”, në vitin 2012”, tha deputeti i Dibrës, Ulsi Manja.


Ndërtimi i plotë i Rrugës së Arbrit në Shqipëri është zvarritur për disa vite për shkak të intensitetit të punimeve dhe mungesës së fondeve. Aktualisht, në Shqipëri ka përfunduar një pjesë e këtij aksi të rëndësishëm që shkurton distancën, jo vetëm për në Lindje të Shqipërisë, por edhe lid hjen   me Maqedoninë.


Më të lexuarat