Secondary Adv

Rikthimi i studenteve ne Universitete: Ja plani per provimet dhe mbylljen e vitit

Ministrja e Arsimit deklaroi mbrëmjen e së martës se studentët mund të rikthehen në universitete në javën e parë të qershorit për lëndët të cilat nuk mund të realizohen online.

 

Në një intervistë televizive, Shahini u shpreh se “universitetet private për shkak se kanë patur një numër më të vogël të studentëve dhe kanë patur mundësinë ta organizojnë mësimin online, ndoshta edhe më mirë sesa publiket, kanë ecur disa hapa përpara. Ajo çfarë kemi vendosur pasi kemi diskutuar me të gjithë dhe me propozim të rektorëve është që të nxjerrim një urdhër për universitetet për të planifikuar mbylljen e vitit akademik. Kërkuam që të na sjellin planet e tyre për kthimin potencial të studentëve që diplomohen sivjet dhe kanë nevojë të bëjnë përsëritje apo ata që kanë nevojë të bëjnë laboratorët apo edhe punë të tjera që duhet të kryhen në kampuset e universitetit dhe të na sjellin ne planet për provimet që zhvillohen në korrik, për një pjesë të studentëve”.

 

“Ndërsa pjesën tjetër, ta planifikojnë për shtator. Natyrisht që, do të përcillen të gjitha protokollet e sigurisë, distancimi fizik, higjienizimin deri në 21 maj, sepse disa universitete kërkuan një shtyrje të datës kur t’i dorëzojnë këto plane. Ato na i dorëzojnë planet e tyre dhe në bazë të asaj shihet nëse është e mundur që të vijojmë me këto plane. E kanë tashmë të qartë, sesi do ecin në planifikimin e mbylljes së vitit akademik, cilat janë ato lëndë që do të bëhen online e për cilat të tjera duhet të rikthehen studentët në universitet”, u shpreh Shahini.

 

Shahini theksoi se “rektorët e universiteteve publike dhe private kanë bërë mbledhjet e para se sa lëndë online dhe cilat lëndë të tjera do t’i sjellin studentët nëpër kampuse. Besoj se deri në javën e tretë të majit, të gjithë do e kenë të qartë sesi do vijojnë me mbylljen e vitit akademik dhe do të njoftohen edhe studentët e tyre në kohë. Java e parë e qershorit është një datë e mundshme kur mund të rikthehemi nëpër universitete, gjithmonë duke i lënë mundësi Ministrisë së Shëndetësisë të anulojë të gjitha këto përgatitje dhe plane nëse shihet rritje e numrit të të infektuarve nga kjo hapje”./Burimi: Balkanweb


Më të lexuarat