Secondary Adv

Ligji i ri per turizmin, krijohet regjister i vecante per bizneset

 

Në projektligjin e ri të Turzimit që aktualisht është për diskutim në komisionet kuvendore parashikohet krijimi i Regjistrit Qendror Turistik (RQT) si Regjistër i unifikuar i të gjitha subjekteve që operojnë në fushën e turizmit.


Mësohet se, RQT-ja do të përbëjë një bazë të unifikuar elektronike të të dhënave për sipërmarrjet turistike. Gjithashtu, parashikohet ngritja e degëve territoriale të shërbimit të turizmit, me bazë qarku, si strukturë administrative e ministrisë përgjegjëse për turizmin, me qëllim koordinimin e punës në terren, bashkëpunimin me autoritetet vendore dhe me sektorin privat për zbatimin e politikave në fushën e turizmit si dhe për mbështetjen e asistencën e drejtëpërdrejtë që ato u japin bizneseve turistike në secilin qark.


Projektligji parashikon ngritjen e inspektoratit që mbulon fushën e turizmit, i cili ka për qëllim të sigurojë zbatimin e legjislacionit të turizmit nga sipërmarrjet turistike, monitorimin e standardeve e cilësisë së shërbimeve të ofruara, në përputhje me procedurat e kryerjes së inspektimit.
Janë parashikuar investimet në fushën e turizmit si dhe lehtësitë që përfitojnë investimet me status “Investime strategjike”. Është parashikuar që në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit shteti të marrë rolin e zhvilluesit si dhe të përfshihet në forma të ndryshme partneriteti.


Pasuritë e paluajtshme në pronësi të shtetit apo të njësive të qeverisjes vendore, që ndodhen brenda zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, brenda dy muajve nga miratimi i zonës, kalojnë në administrim të ministrisë përgjegjëse për turizmin. Ministria përgjegjëse për turizmin nënshkruan marrëveshje zhvillimi me investitorët në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në të cilën parashikohen të drejtat dhe detyrimet e palëve.Në rastin e investimeve në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, parashikohet vënia në dispozicion e pasurisë së paluajtshme për ndërtimin e strukturave akomoduese dhe strukturave të tjera turistike. Kohëzgjatja e vënies në dispozicion është deri në 99 vjet. Vënia në dispozicion e pasurive të paluajtshme shtetërore mund të bëhet edhe nëpërmjet kontratës simbolike 1 euro./Monitor


Më të lexuarat