Shenohen 10 raste te reja me Covid ne 24 ore: 842 te prekur ne total ne vendin tone
Ministria e Shëndetësisë raporton se në 24 orët e fundit nga 275 testime të kryera, janë shënuar 10 raste të reja, duke e çuar në 842 numrin total të të infektuarve.
Nga të prekurit e identifikuar në 24 orët e fundit, 3 prej tyre janë në Tiranë, 3 në Krujë, 2 në Shkodër dhe 2 në Kamëz. Në përditësimin e shifrave, drejtoresha pranë ISHP, Rovena Daja tha se që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 842 qytetarë, ndërsa 605 prej tyre tashmë janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 206 persona aktivë me COVID19. “Pjesa më e madhe e të prekurve po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë, ndërsa momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, aktualisht janë të shtruar 38 pacientë dhe vetëm 7 prej tyre janë në terapi intensive”- tha Daja.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale, po ashtu bizneset e hapura të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë. Ftojmë qytetarët të mos neglizhojnë shenjat e COVID19 dhe të telefonojnë menjëherë urgjencën kombëtare 127 në rast se kanë dyshime se janë të prekur nga ky virus. Për të kontaktuar mjekun e familjes, për pyetje në lidhje me COVID19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.