Secondary Adv

INSTAT ben gati anketen: Synon te percaktoje probleme te shendetit ne popullate

Për herë këtë vit INSTAT do të zhvillojë një anketë për shëndetin e popullsisë së vendit. 

 

Anketa e cila do të bëhet në bashkëpunim me ekspertet e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP) do të jetë një burim i madh informacioni për individët në mënyrë që ata të marrin vendimet e duhura për shëndetin e tyre dhe gjithashtu do të ndihmojë institucionet dhe ekspertet e shëndetit të formulojnë programe të qarta për të orientuar politikat shëndetësore. Për anketën e shëndetit janë bërë përpjekje disa vjeçare, por mungesa e ekspertëve ka vështirësuar realizimin e saj. Sipas burimeve nga ISHP-ja anketa synon që të përcaktojë problemet kryesore të shëndetit publik në popullatë, duke përfshirë faktorët determinantë që ndikojnë në shëndet, paraqitjen e trendeve dhe, mbi të gjitha, parashikimin.

 

Aktualisht analizat e shëndetit publik nuk shtrihen aq gjerësisht sa duhet. Për arsye të burimeve të raportimit, të dhënat kryesisht paraqesin funksionimin dhe aktivitetet e shërbimit të kujdesit shëndetësor dhe jo prevalencën e një sëmundjeje në popullatë. Deri më tani ende nuk është realizuar ndonjë studim të plotë mbi shëndetin e popullatës së rritur shqiptare, të tipit Anketa Europiane e Shëndetit bazuar në intervista ose Anketa Europiane e Shëndetit bazuar në Ekzaminim (EHIS, ose EHES). Por, janë realizuar anketime të ngjashme të stilit të jetesës (përshembull, studimi Demografik dhe Shëndetësori Shqipërisë 2008-2009 dhe 2018-2019).

 

Mangësia kryesore e analizave të shëndetit është mungesa e ekspertëve me kualifikimin e duhur në profile të ndryshme, që nga specialistët e shëndetit publik, analistë, ekspertë IT dhe statisticienë/metodologjistë, deri tek modernizimi i të dhënave rutinë dhe realizimi i studimeve epidemiologjike. Anketa e posaçme për shëndetin do të ndihmoje në hartimin e një raporti të detajuar shëndetësor që do të publikohet një herë në 5 vjet, që përfshin të gjithë problemet kryesore, duke përfshirë tendencat për 10-15 vitet e fundit dhe gjithashtu një vlerësim të shëndetit publik dhe programeve të ndërhyrjes, me parashikim të tendencave të ardhshme./Burimi: Monitor 


Më të lexuarat