Matura Shteterore 2020: Detaje te tjera lidhur me testin, ja si do te behet korigjimi
Në kuadër të informimit të maturantëve, Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore ka dhënë detaje lidhur me procesin e korrigjimit të testit të Maturës Shtetërore 2020.
Ajo ka nënvizuar se korrigjimi do të bëhet në mënyrë digjitale, pasi i gjithë testi do të jetë i organizuar në pyetje me alternativa. “Nxënësit, – thekson znj. Vrapi, – pasi të kenë përfunduar përgjigjet në test, duhet që t’i hedhin në fletë-përgjigje. Më pas, kjo fletë-përgjigje do të administrohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe do të procesohet përmes skanerave”.
“Kjo do të shkurtojë kohën e korrigjimit, besueshmëria e korrigjimit është maksimale dhe sigurisht edhe dalja e rezultateve në kohën e duhur. Sërish, bëjmë me dije që brenda datës 30 qershor i gjithë procesi është i përfunduar,” – thotë znj. Vrapi. Pasi të gjitha rezultatet të jenë publikuar, znj. Vrapi thotë se me datë 1 korrik 2020 QSHA do të fillojë procesi i printimit të diplomave të Maturës Shtetërore, i cili do të jetë në dy faza.
Në fazën e parë, do të printohen diplomat për të gjithë maturantët të cilët dëshirojnë të studiojnë jashtë vendit. Ndërsa ditët në vijim, do të mbyllet edhe procesi për pjesën tjetër të maturantëve. “Më datë 1 korrik, maturantët të cilët do të studiojnë jashtë, do të kenë në dorë diplomën e Maturës Shtetërore” – përfundon drejtoresha e QSHA në video-mesazhin e saj për maturantët./Burimi: Balkanweb