Secondary Adv

Zbardhen detajet e fondit te 2 te garancise: Kushtet qe duhet te plotesojne kompanite

Këshilli i Ministrave ka miratuar linjën e garancisë shtetërore në vlerën 15 000 000 000 lekë, në favor të bankave tregtare, pjesë e skemës së garancisë.

 

Këshilli i Ministrave ka miratuar ditën e djeshme linjën e garancisë shtetërore në vlerën 15 000 000 000 lekë, në favor të bankave tregtare, pjesë e skemës së garancisë që do të mundësojë huadhënien për tregtarët dhe shoqëritë tregtare për të siguruar fondet e nevojshme për kapital qarkullues dhe investime për të mbështetur rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar që është ndikuar nga situata e krijuar nga COVID-19. Monitor ka zbardhur disa detaje paraprake nga kushtet që duhet të plotësojnë kompanitë që të jenë përfituese të këtij fondi.

 

Sipas draftit, Huamarrësi duhet të jetë subjekt që ushtron veprimtarinë tregtare në:

Sektorin e turizmit;

Industrinë fasone; dhe

iii. Industrinë prodhuese;

 

Eshtë kusht që veprimtaria e tij tregtare të jetë prekur direkt ose indirekt nga aktet ligjore dhe nënligjore të qeverisë në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19, nëpërmjet mbylljes së përkohshme të aktivitetit tregtar ose nëpërmjet ndikimit me ulje të aktivitetit tregtar, i vlerësuar ky dhe në diskrecion të plotë të Huadhënësit, nëpërmjet analizave financiare. Një tjetër kush është që huamarrësi nuk duhet të ketë detyrime të papaguara pranë autoriteteve tatimore, të gjeneruara përpara muajit Shkurt 2020. Gjithashtu ai nuk duhet të këtë kredi me probleme (këto sipas definicionit të Rregullores së Bankës së Shqipërisë Nr.62, datë 14.09.2011 “Për administrimin e rrezikut të kredisë nga bankat dhe degët e bankave të huaja”, të ndryshuar), në muajin Shkurt 2020.

 

Qëllimi i përdorimit të fondeve të Huasë është për t’i mundësuar Huamarrësit fondet e nevojshme për kapital qarkullues dhe investime për të mbështetur rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar që është prekur nga situata e krijuar nga COVID-19. Në asnjë rast fondet e Huasë nuk do të përdoren për të financuar veprimatari të jashtëligjshme, apo për të rifinancuar hua të tjera. Vlera e Huasë e vendosur në dispozicion nga Huadhënësi për Huamarrësin mund të variojë në përputhje me kërkesën e paraqitur nga Huamarrësi, por në asnjë rast nuk do të jetë më e lartë se 25% e qarkullimit vjetor të vitit 2019 dhe jo më shumë se 200,000,000 (dyqind milion) Lekë.

 

Afati i Huasë duhet të jetë në diskrecion të Huamarrësit, por duke mos tejkaluar në asnjë rast afatin prej 5 (pesë) vite. Huaja mund të jetë në formën e kredisë, overdraft-it, ose linjës së kredisë, e vlerësuar kjo në përputhje me nivelin e riskut të kredit dhe preferencat e Humarrësit. Pavarësisht produktit me të cilin do të ofrohet Huaja, periudha pa pagesë principali nuk do të jetë më pak se 6 muaj, me përjashtim të rasteve kur Humarrësi preferon një periudhë më të shkurtër. Në rastet e parapagimit të Huasë, Huadhënësi nuk duhet të aplikojë komision, penalitet apo cfarëdo lloj mase tjetër që lidhet me parapagimin e Huasë.

 

Monedha e Huasë duhet të jetë në monedhën vendase (Lekë). Huadhënësi nuk do të aplikojë komisione, tarifa, etj., që lidhen me shpenzimet administrative të Huasë. Huadhënësi do të bëjë vlerësimin e riskut të kreditit të Huamarrësve në përputhje me standartet dhe legjislacionin bankar, duke i’u referuar gjendjes financiare të Huamarrësit jo më vonë se muaji Shkurt 2020. 

 

Huadhënësi, bazuar në vlerësimet e riskut të kreditit për secilin Huamarrës gëzon të drejtën që të kërkojë ose jo kolateral shtesë nga Huamarrësi, por në asnjë rast masa e alokuar e kolateralit duke përfshirë edhe Vlerën e Garantuar të Huasë sipas kësaj Marrëveshje nuk duhet të tejkalojë mbulimin e përllogaritur sipas legjislacionit dhe rregullave të brendshme të Huadhënësit. Ministria e Financave dhe ekonomisë \merr përsipër të garantojë deri në Vlerën e Garancisë të cituar në pikën Pikën 1 të këtij Neni, 40% të principalit të çdo Huaje që Huadhënësi do t’u lëvrojë Huamarrësve sipas kushteve që pasojnë në këtë Marrëveshje.

 

Çfarë ndodh kur biznesi nuk paguan, si aktivizohet garancia

Kur Huamarrësi nuk ka mundur të kryejë pagesën e detyrimeve apo është në kushtet e ndonjë prej rasteve të tjera të mospërmbushjes, të përcaktuara në Marrëveshjen e Huasë dhe kur Huadhënësi brenda një periudhë jo më pak se 180 ditë kalendarike (nga dita e parë e lindjes së detyrimit nga Huamarrësi) ka ndërmarrë të gjitha hapat e përcaktuara në procedurat dhe politikat e tij të brendshme për ndjekjen e huave të papaguara, atëherë Huadhënësi rezervon të drejtën për t’i dërguar MFE kërkesën me shkrim për pagesën e detyrimeve.

 

Pas pagesës së garancisë për ndonjë prej Huave, MFE merr në dorëzim automatikisht të gjitha të drejtat dhe mjetet ligjore, që zotëronte Huadhënësi ndaj Huamarrësit, sipas përcaktimeve të Marrëveshjes së Huasë dhe në masën e çdo pagese të kryer nga MFE në kuadër të garancisë për këtë Hua. Këto të drejta dhe mjete ligjore i kalojnë MFE, së bashku me të drejtat dhe mjetet ligjore që ai ka në bazë të Marrëveshjes së Mirëkuptimit./Burimi: Monitor 


Më të lexuarat