5.2 milione dollare per financimin e bizneseve te mesme e te vogla ne Tirane
Të gjithë ata që duan të hapin një biznes të vogël apo te mesëm me prioritet të rinjtë dhe gratë, duke nisur nga muaji maj do të mund të përfitojnë nga fondi prej 5.2 milionë dollarësh, i vënë në dispozicion nga Bashkia e Tiranës, Norfund (Qeverinë Norvegjeze-Fondi Norvegjez i Investimeve për Vendet në Zhvillim), AADF (Fondin Shqiptaro- Amerikan për Zhvillimin) si dhe Crimson Capital Fund.
Kjo u bë e ditur ditën e djeshme nga kryebashkiaku Lulzim Basha dhe presidenti i Fondin Shqiptaro- Amerikan për Zhvillimin Michael Granoff. Ky është një tjetër hap i ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe punësimin në këtë qytet, duke dëshmuar se ku ka vullnet, ka dhe mundësi për të nxitur zhvillimin dhe punësimin. Një tjetër projekt i rëndësishëm që do të mbështetet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve është dhe Pazari i Ri i cili do te shndërrohet në një model për të gjithë rajonin. Projekti ka përfunduar dhe vlera e investimit llogaritet në rreth 6 milion euro dhe 3 milion euro do të financohen nga Bashkia e Tiranës.
“Për herë të parë në Shqipëri e Ballkan, një bashki, Bashkia e Tiranës dedikon fondet e saj, për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë së qytetit përmes kredive dhe huave me terma shumë të favorshëm për këdo që dëshiron të fillojë një biznes, me një plan – biznesi solid, qoftë ky një biznes i vogël apo akoma më mirë në qoftë se arrin të punësojë më shumë se sa vetë familjarët”, tha Basha. Basha bëri të ditur se është pjesë e programit tim për zhvillimin ekonomik të qytetit, pjesë e të cilit ka qenë ulja e taksave në Bashkinë e Tiranës, pjesë e së cilit është edhe marrëveshja me bankat e nivelit të dytë, për të ndihmuar përmes fondit të garancisë së Bashkisë së Tiranës bizneset. Përmes këtij fondi do të mundësohet kreditimi i atyre bizneseve të vogla dhe të mesme të cilat nuk gjejnë akses në sistemin bankar, pasi nuk kanë mundësinë e ofrimit të kolateralit.
Michael Granoff- president i Fondit Shqiptar-Amerikan të Ndërmarrjeve dhe bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit shprehu bindjen se ky model do të ketë sukses, për të ecur përpara edhe në të ardhmen.