Mbikalimi i Shkozetit, një vepër për ndërtimin e të cilës u shpenzuan 8 milionë euro, është hapur për automjetet. Punimet për ndërtimin e mbikalimit të Shkozetit si pjesë e by pass -it të Durrësit, nisën në Janarin e vitit të kaluar, me një investim të siguruar nga Fondi Saudit për Zhvillim.
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, ishte sot në Durrës për përfundimin e projektit të ndërtimit të mbikalimit në Shkozet, pjesë e projektit për bypass-in e Durrësit. “Vepra tashmë është funksionale dhe është hapur trafiku, duke na paraqitur një përpjekje serioze për të sjellë standard të ri në punimet e kësaj vepre. Por krahas kësaj dua të shpreh edhe pezmatimin dhe keqardhjen time, për ndërhyrje në vepër nga ana e personave të papërgjegjshëm si dhe dëmtimin në barrierat e amortizimit të zhurmave të trafikut, për të mos shqetësuar banorët e kësaj zone” – tha Ministri Haxhinasto.
Ai theksoi se dëmtimi i sinjalistikës është një fenomen që haset në gjithë rrjetin rrugor në Shqipëri dhe kjo për çdo projekt është kosto shtesë e paparashikuar. “Unë sot përfitoj nga rasti t’i bëj thirje të gjithë qytetarëve të ruajnë sinjalistikën dhe infrastrukturën ato janë pronë dhe ju shërbejnë vetë atyre. Heqja dëmtimi i sinjalistikës do të thotë rrezik për jetët e fëmijëve të tyre e vetë qytetarëve” – apeloi nga mbikalimi i Shkozetit Ministri Haxhinasto.
Projekti për ndërtimin e kësaj nyje të rëndësishme rrugore në kryqëzimin që lidh autostradën Tiranë - Durrës me bypass-in e Durrësit dhe asket kombëtare drejt zonës jugore të vendit, përfshin edhe sinjalistikën, ndriçimin dhe gjelbërimin. Në gjatësinë e mbikalimit janë vendosur ndricues dhe barriera zhurme Gjatë gjatësisë së mbikalimit janë vendosur ndriçuesë dhe barriera, si dhe elementet e sinjalistikës së nevojshme për akomodimin e trafikut. Paralelisht është gjelbëruar gjatë gjatësisë së rampave të mbikalimit, si dhe në rrethrrotullim nën mbikalimin e Shkozetit.
Projekti është një investim rreth 8 milionë euro i financuar nga Fondi Saudit për Zhvillim dhe përfshin edhe kolektorin e ujërave, me gjatësi 1.5 kilometra në Durrës në zonën e Plepave, si dhe pësoi ndryshime në 2014-ën , duke shtuar gjelbërimin. Nga afati 22 mujor i parashikuar në kontratë realizimi i tij u bë brenda 16 muajve Janar 2014- Mars 2015.