Secondary Adv

Shpenzimet per shendetesine rane gjate pandemise: Ja ku u perqendruan ne 3 muajt e pare

Për tre muajt e parë të vitit, shpenzimet totale të qeverisë ishin 106.9 mld lekë, sipas BSH, e cila ka raportuar shpenzimet funksionale sipas klasifikimit.

 

Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, shpenzimet janë rritur me 2.3%. Dy janë funksionet që kanë ndikuar në rritjen e shpenzimeve. E para është çështjet ekonomike, që arritën në 11 miliardë lekë, ose 10% të totalit. Në raport me janar-marsin e një viti më parë, ky zë është rritur me 45%, si rrjedhojë e pagesave që janë bërë për të punësuarit që dolën nga skema e sigurimeve, ose që iu mbyllën bizneset me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë, pas kufizimeve për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

 

Së dyti, edhe për mbrojtjen sociale u shpenzuan 37.6 miliardë lekë, me një rritje prej 6.3%, me bazë vjetore, edhe kjo e ndikuar nga pagesat sociale të pandemisë. Mbrojta sociale merr pjesën kryesore të buxhetit, me 35.1% të totalit. Ndryshe nga këto dy grupe, shpenzimet për shëndetësinë, kanë shënuar rënie në tremujorin e parë të vitit dhe sidomos në mars, atëherë kur u konstatuan dhe rastet e para me Covid-19 dhe kulmoi emergjenca shëndetësore. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se shpenzimet për shëndetësinë ishin gati 11 miliardë lekë për tremujorin e parë, duke shënuar një rënie prej 3.1% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. 

 

Tkurrja erdhi si rrjedhojë e rënies së shpenzimeve për këtë funksion në mars, ku qeveria harxhoi 3.5 miliardë lekë, nga 4.6 miliardë lekë në mars 2019, me një rënie prej 24%. Shpenzimet për shëndetësinë për 3 mujorin zunë 10.3% të totalit, nga 10.8% në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nga zërat e tjera, për tremujorin u shënua rënie për shërbimet e përgjithshme publike (-6.9%), Strehimi dhe komoditetet e komunitetit (-16%), arsimi (-4.5%), Argëtimi, kultura dhe çështjet fetare (-22%)./Burimi: Monitor 


Më të lexuarat