Secondary Adv

Liberalizimi i tregut te energjise: ERE krijon platforme online per krahasimin e cmimeve

Enti Rregullator i Energjisë do të ngrejë një platformë online ku furnizuesit do të bëjnë publike çmimet e ofruara për klientët si dhe një sërë të dhënash të tjera. 

 

Sipas ERE, kjo platformë vjen në kuadër të hapjes dhe liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, për të mundësuar marrjen e një informacioni nga ana e klientëve lidhur me çmimet e energjisë elektrike të ofruar nga ana e furnizuesve të ndryshëm, privatë apo publikë. Qëllimi kryesor i krijimit të Platformës Online të Krahasimit të Çmimeve është të ndihmojë klientët në zgjedhjen e furnizuesit të energjisë elektrike në mënyrë transparente.   

 

Ndërsa u mundëson klientëve të krahasojnë ofertat e mundshme nga furnizuesit me pakicë të energjisë elektrike, si dhe të marrin informacion të qartë, gjithë përfshirës dhe të përditësuar për çmimet e energjisë elektrike, kohë zgjatjen e kontratës së furnizimit, faturimin dhe shërbime të tjera në lidhje me furnizimin me energji elektrike apo dhe mundësinë e zgjedhës së energjisë së pastër. Gjithashtu, Platforma do ofrojë informacione të tjera për klientët, në mënyrë që të kuptojnë më mire se si funksionon tregu i energjisë elektrike, cilat janë të drejtat dhe detyrimet e tyre, etj.

 

Sipas Entit Rregullator të Energjisë implementimi i kësaj platforme krijon kushte më të mira dhe ofron transparencë për daljen në treg të klientëve fundor të energjisë elektrike, si dhe do të jetë një vlerë e shtuar në rritjen e cilësisë dhe të konkurencës në treg. Muaji mars i këtij viti shënoi dhe daljen në treg të lirë energjie për bizneset e lidhur në 35 KV, ndërkohë që ky process do të vijojë me ata që janë të lidhur në 20 KV, duke bërë që kjo kategori të shkëputet nga OSHEE dhe të zgjedhë vetë furnizuesin e energjisë elektrike./Burimi: Scan


Më të lexuarat