Masterplani i gazit ne Shqiperi, gati ne nentor te 2016
Masterplani për gazifikimin e vendit pritet të jetë i gatshëm në tetor/nëntor të vitit 2016, ndërsa puna për ndërtimin e tubacionit të gazsjellësit TAP do të nisë në muajin maj të këtj viti.
Përfaqësues të kompanisë shtetërore azere të naftës SOCAR, Shell, British Petroleum, WBIF dhe TAP AG me përfaqësues të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë në Shqipëri, u mblodhën këtë të shtunë në seminarin e dytë të nivelit të lartë për studimin e fizibilitetit të masterplanit të gazit në Shqipëri. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Koli Bele e konsideroi shumë të rëndësishëm për masterplanin e gazit dhe studimin e fizibilitetit, koordinimin mes të gjithë aktorëve për të patur një produkt sa më profesional.
“Kemi ndërmarrë të gjitha hapat e duhura si qeveri, në mënyrë që në vitin 2019-2020, kur parashikohet që gazi të kalojë në tubacionin e gazsjellësit TAP, edhe Shqipëria të jetë jo vetëm e lidhur, por të ketë mundësi, infrastrukturë të zhvilluar, plane konkrete për zhvillimin e tregut të gazit”, u shpreh Bele. Në vijim të takimit të parë mbajtur në muajin shkurt, përfaqësuesit e WBIF prezantuan një grafik të punës me të dhëna konkrete të fazave të hartimit të masterplanit. Puna do të nisë në muajin maj të 2015-s dhe parashikohet që masterplani të jetë i gatshëm në tetor/nëntor të vitit 2016. Paralelisht, kompania SOCAR do të fillojë punën për studimin e fizibilitetit, një tjetër dokument mjaft i rëndësishëm që i shërben objektivit strategjik për gazifikimin e vendit.
Western Balkans Investment Framework (WBIF) financon me 1.1 milion euro në hartimin e Masterplanit të Gazit (GMP) dhe të Project Identification Project (PIP), sipas aplikimit të MEI-t në shkurt 2014.Kompania SOCAR, në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe Gazsjellësin TAP, si dhe aktorët e tjerë të interesuar nga Azerbajxhani, do të menaxhojë dhe financojë studimin e fizibilitetit të masterplanit të gazit.