Secondary Adv

Qeveria miraton projektligjin per Eurobondin: Ne qershor merren 650 mln euro

Në qershor të këtij viti vendi do të dalë në tregjet ndërkombëtare për të marrë një borxh të ri. 

 

Ndryshe nga sa ishte parashikuar në fillim për një vlerë 600 milionë euro, qeveria do të kërkojë të marrë një borxh në vlerën e 650 milionë eurove. Kjo vlerë e lartë lidhet me pasojat negative që po lë COVID-19, në ekonomi, dhe që ka rritur ndjeshëm edhe nevojën për likuiditet. Eurobondin i ri pritet të jetë me afat maturimi nga 7 deri në 10 vjet, dhe synimi është që të emetohet një borxh me interes të ulët, por duke marrë parasysh pasigurinë që ka shkaktuar pandemia situata bëhet edhe më e vështirë.

 

Ndërkohë qeveria tashmë ka bërë gati edhe projektligjin që i hap rrugën, përjashtimit nga detyrimet tatimore për çdo transaksion që do të kryhet për tregtimin e eurobondeve. Në projektligj thuhet se, “Mbajtësit e titujve të Eurobondin dhe menaxherët bashkëdrejtues, përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat, nga tatimi mbi vlerën e shtuar dhe çdo tatim apo taksë tjetër në Republikën e Shqipërisë, për të gjitha transaksionet dhe veprimtaritë që lidhen me emetimin, mbajtjen, ruajtjen dhe tregtimin e eurobondeve”. 

 

Më herët është hapur edhe gara për konsulencë ligjore për Eurobondin që do të merret. Shqipëria ka dalë në këto tregje për herë të parë në vitin 2010 kur mori 300 milionë euro dhe një interes afro 9%, më pas doli në vitin 2015 duke marrë 450 milionë euro, me një normë interesi më të ulët 5.75% dhe së fundmi në vitin 2018 qeveria doli përsëri në tregjet ndërkombëtare duke marrë  një eurobond në vlerën e 500 milionë Eurove, me interes 3.55%. Marrja e eurobondit do të përdoret për të përballuar pasojat e pandemisë por edhe për shlyerjen e eurobondit të 2015 që i mbaron afati këtë vit si dhe një pjesë mund të shkojë për rindërtimin e banesave./Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat