Secondary Adv

Pandemia nuk prek depozitat bankare: Rriten kursimet, ja sa eshte totali ne banka

Pandemia e koronavirusit nuk po ndikon në ecurinë e depozitave në sistemin bankar, sidomos në drejtim të kursimeve në monedhën vendase. 

 

Përkundrazi, individët po preferojnë që të lënë kursime mënjanë, një tendencë kjo që ndodh në kohë të pasigurta. Në fund të muajit prill, individët dhe bizneset kishin në banka mbi 1 trilion lekë kursime, ose rreth 8.5 miliardë euro. Në krahasim me muajin e mëparshëm, kursimet kanë shënuar një rënie prej 2.8%, që ka ardhur tërësisht nga tkurrja e depozitave në valutë.

 

Këto të fundit ranë me 6.4% në krahasim me marsin, por efekt këtu dha edhe zhvlerësimi i euros, pasi në fund të marsit monedha e përbashkët arriti deri në 131 lekë, duke ndikuar në raportim statistikor të depozitave në valutë, të cilat jepen në lekë. Edhe të raportuara në monedhën përkatëse, depozitat e reja në euro ranë me 8.7% në prill, në raport me muajin mars.

 

Ndërsa depozitat në lekë arritën në 482 miliardë lekë, me një rritje prej 1.7% në raport me muajin e mëparshëm, të ndikuara nga individët dhe insitucionet jo financiare publike. Të dhënat e tjera të Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se depozitimet e reja në prill ishin pothuajse në nivel të njëjtë me marsin (122 miliardë lekë). Rritja e stokut lidhet me faktin që kursimtarët s’po i tërheqin depozitat në lekë, por po preferojnë t’I mbajnë në banka. Në fund të prillit, kursimet në valutë përbënin 53.7% të totalit. Në raport me prodhimin e brendshëm bruto, kursimet e shqiptarëve janë rreth 61% të PBB-së, ndër më të lartat në rajon./Burimi: Monitor


Më të lexuarat