Secondary Adv

Mbyllja e faqeve te internetit: Rregulla te reja nga AKEP, thjeshtohet procesi

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka përgatitur procedura të reja për mbylljen e faqeve të internetit. 

 

Sipas ndryshimeve të hedhura për konsultim publik në rregulloren për regjimin e autorizimit të përgjithshëm, sipërmarrësit që ofrojnë shërbime të komunikimeve elektronike të aksesit në internet, kanë detyrim ligjor të regjistrohen në sistemin ose portalin online, që administrohet dhe mirëmbahet nga Autoriteti Kombëtar i Certifikimit Elektronik dhe Sigurisë Kibernetike. Në momentin që një autoritet regjistron në portalin e AKCESK një faqe të cilësuar me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme, operatorët duhet të bëjnë menjëherë bllokimin e aksesit të faqes në fjalë.

 

Pavarësisht nga sa më lart, AKEP do të ruajë të drejtën për të kërkuar drejtpërsëdrejti nga sipërmarrësit e komunikimeve elektronike kufizimin e përmbajtjeve të paligjshme ose të dëmshme, në rastet e parashikuara nga ligji “Për komunikimet elektronike”. Ndërhyrja e AKEP parashikohet në rastet kur cënohen interesat e vendit, siguria publike, si edhe gjatë gjendjes së luftës apo situatave të jashtëzakonshme. Në vitet e fundit, AKEP ka urdhëruar në disa raste mbylljen e faqeve të internetit. Rasti më masiv ishte ai që lidhej me faqet e basteve online, pas miratimit të ligjit që i ndalonte të gjitha lojërat e fatit dhe bastet sportive në Republikën e Shqipërisë.   

 

Sidoqoftë, në opinionin publik po rritet shqetësimi se mbyllja e faqeve të internetit rrezikon të bëhet një formë e re e censurës dhe kufizimit të lirisë së shprehjes. Aktualisht, nuk ka përcaktime të qarta ligjore se kur një faqe interneti cilësohet me përmbajtje “të dëmshme”, kush ka tagrin për të bërë një interpretim të tillë, cilat institucione kanë të drejtë të urdhërojnë mbylljen e faqeve të internetit dhe në cilat raste./Burimi: Scan


Më të lexuarat