Secondary Adv

Shqiperia ben hapa pas ne arsim: Rritet perqindja e popullsise pa ciklin e detyrueshem

Shqipëria në vitin 2019 bëri hapa pas në treguesit e zhvillimit njerëzor. 

 

Përveç rritjes së vdekshmërisë foshnjore me 1.5 % vitin e kaluar është rritur edhe numri i nxënëse që nuk ndjekin arsimin e detyrueshëm në ciklin 9-vjecar. Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se gjatë vitit shkollor 2019-2020 morën pjesë në arsimin 9 vjeçar 93,9 % nxënës të grup moshës 6-14 vjeç në krahasim popullsinë e grupmoshës përkatëse, përkundrejt 95,6 % të tyre në vitin 2018, ndërsa në arsimin e mesëm pjesëmarrja është 76,2 % përkundrejt 77,4 % që ishte në vitin 2018.

 

Në vitin 2019, u regjistruan në të gjithë nivelet e arsimit zyrtar, 611.062 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 4,7 %, krahasuar me të regjistruarit e vitit 2018. Ulja e dedikohet rënies së numrit të nxënëse në arsimin fillor për shkak të rënies së numrit të lindjeve. Në fillim të vitit shkollor 2019-2020 pjesëmarrja në të gjithë nivelet e arsimit, në krahasim me popullsinë e moshës shkollore ishte 83,2 %. Në arsimin publik, morën pjesë 91,6 % e nxënësve të arsimit 9 vjeçar dhe 88,4 % e nxënësve të arsimit të mesëm, ndërsa në arsimin profesional morën pjesë 16,8 % e nxënësve të arsimit të mesëm gjithsej.

 

Ulen numri i të diplomuarve në arsimin profesional

Në vitin 2019 përfunduan studimet në arsimin 9 vjeçar dhe u diplomuan 34.982 nxënës. Këtë vit përfunduan studimet në arsimin e mesëm dhe u diplomuan 34.021 nxënës, me një raport bruto të diplomimit prej 84,6 %. Ky raport ka pësuar një rritje prej 6,3 pikë përqindje krahasuar me vitin 2018. Të diplomuarit e arsimit profesional përbëjnë 11,2 % të të diplomuarve të arsimit të mesëm me një ulje prej 0,7 pikë përqindje krahasuar me vitin 2018. Në vitin 2019, janë diplomuar në arsimin e lartë 34.891 studentë ose 1,6 % më shumë se në vitin 2018.

 

Ndër të diplomuarit e këtij viti në të gjithë programet, femrat përbëjnë 66,4 %. Fusha e studimit që zë peshën më të lartë ndër 10 fushat e gjera të studimit, për të diplomuarit e viti 2019, është ajo e “Biznes, administrim dhe ligjit” në të cilën janë diplomuar 27,8 % e studentëve gjithsej. Pikërisht kjo fushë studimi ka qenë më e preferuar si nga meshkujt ashtu edhe nga femrat./Burimi: Monitor 


Më të lexuarat