
Rritet cmimi i naftes, nje liter 177 leke
Çmimi i naftës u rrit këtë fundjavë edhe me tre lekë për litër. Çmimi me pakicë i një litri naftë u shit dje me 177 lekë, nga 174 lekë që ishte ditën e shtunë.
Çmimi me pakicë i një litri naftë u shit dje me 177 lekë, nga 174 lekë që ishte ditën e shtunë.Tani kur politika dhe opinioni publik kanë spostuar vëmendjen te dekriminalizimi dhe te zgjedhjet lokale, tregu i karburanteve po aplikon strategjinë e rritjes së çmimeve edhe kur arsyet mungojnë.
Rritja në këto nivele këtë herë ngelet e pambështetur në faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, pasi taksa e shtuar 10 lekë u reflektua më herët gjatë muajit shkurt, ndërkohë që çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare mbetet në nivelin e 63 dollarëve për fuçi. Çmimi i naftës që nga muaji janar është rritur me 18 lekë për litër, ose 11.3 për qind. Distributori më i madh i shumicës dhe pakicës, “Kastrati” po e shet një litër naftë aktualisht 177 lekë, ndërkohë që pikat e “Alpet” po e shesin me 179 lekë një litër eurodiezel.
Tani kur politika e dhe opinioni publik kanë spostuar vëmendjen tek dekriminalizimi dhe tek zgjedhjet lokale, tregu i karburanteve po aplikon strategjinë e rritjes së çmimeve edhe kur arsyet mungojnë. Pak kohë më parë, pas një hetimi të thelluar mbi tregun e karburanteve, Autoriteti i Konkurrencës doli me konkluzionin se tregu nuk operon në kushtet e monopolit. Nga ana tjetër nevojat e tregut vendas po plotësohen në rreth 30 për qind me naftë vendase, që po përpunohet nga ARMO dhe importet e naftës kanë rënë më shumë se 20 për qind në dy muajt e parë. Ulja e çmimeve të naftës në tregun ndërkombëtar vetëm sa ka sjellë probleme në industrinë e nxjerrjes së naftës në vend.
Industria nxjerrëse si motori kryesor i eksporteve dhe rritjes ekonomike në vend ka shënuar ulje gjatë tremujorit të fundit të vitit 2014. Sipas të dhënave të INSTAT-it, afarizmi në industrinë nxjerrëse shënoi rënie me 16.2 %. Një vit më parë në këtë periudhë aktiviteti në këtë industri kishte pësuar zgjerim me 68%. Kompanitë kryesore të tregut kishin paralajmëruar se do të mbanin prodhimin në kontroll për shkak të uljes së çmimeve të naftës në tregjet globale me gati 50 për qind në harkun e një viti. Megjithatë, prodhimi i naftës në vend në fund të vitit 2014 mësohet të ketë arritur në vlerën e 1.4 milionë tonëve në krahasim me 1.2 milionë tonë të një viti më parë.
Rritja e prodhimit është përqendruar në të tre tremujorët e parë të vitit 2014, ndërsa fundi i vitit ka reflektuar një rënie të fortë. Rënia e volumeve në industrinë nxjerrëse ka ndikuar edhe në një ecuri më të dobët të eksporteve. Ndikimin kryesor në këtë rënie e ka dhënë grupi “minerale, lëndë djegëse energji”, që u tkurr me 40% me bazë vjetore, në 7.8 miliardë lekë. Pesha e këtij grupi në totalin e eksporteve ka rënë ndjeshëm, në vetëm 21% nga rreth 40% që arriti në vitet e arta të industrisë së naftës dhe asaj minerale rreth dy vjet më parë. Rënia e prodhimit në industrinë nxjerrëse është shoqëruar edhe me uljen e numrit të punësuarve në këtë sektor. Sipas INSTAT-it, numri i të punësuarve në sektorin e industrisë u tkurr me 500 persona në tremujorin e fundit të vitit 2014.
Më të lexuarat








