Se shpejti kalojne ne Keshill Bashkiak pagesat e termetit: Ja kategorite e caktuara
Kryetari i Bashkisë së Tiranës inspektoi sot ambjentet e reja të njësisë 1, teksa tha se falë punës së bërë gjatë pandemisë është ndihmuar kushdo që ishte në nevojë.
Veliaj vlerësoi për përkushtimin në ofrimin e shërbimeve ndaj komunitetit dhe deklaroi se shumica e qytetarëve janë edhe mbështetësit e projekteve për transformimin e Tiranës. Sipas tij, Bashkia e Tiranës ka disa projekte për Njësinë 1, duke filluar nga rehabilitimi i zonës së ish-Tregut Elektrik, e cila qe kthyer në një landfill mbetjesh. Ndërkaq, kryebashkiaku dha lajmin e mirë për të gjithë ata që janë prekur nga tërmeti. Pas përfundimit të vlerësimit të dosjeve, do të fillojë shumë shpejt pagesa në dorë për dëmet e lehta dhe rindërtimi për banesat e reja.
“Kemi mbaruar me vlerësimin e dosjeve të tërmetit, ndaj shumë shpejt do kalojmë në Këshill Bashkiak pagesën cash për ata që janë kategoria DS1/DS2/DS3. Duke i pasur ato para cash mund t’i rregullojmë ca gjëra vetë ose mund të pajtojmë dikë. Ndaj, do jetë edhe një çlirim ekonomik në njësi. Kjo vlen për të 27 njësitë. Do jetë një mënyrë e mirë për të akomoduar të paktën kategorinë më të madhe të njerëzve, që nuk i kishin shtëpitë e shkatërruara plotësisht. Për DS4/DS5, nëse janë shtëpi private, gara ka mbaruar. Po presim të kalojë periudha e ankimimit dhe më pas do fillojmë menjëherë ndërtimin e shtëpive”, tha Veliaj./Burimi: Balkanweb